“Akademia e Marinës Vlorë drejt shembjes”/ Artur Meçollari: Populli do të çuditet kur të dëgjojë emrin e investitorit

Ish-zv.Komandanti i Forcës Detare Artur Meçollari ka denoncuar planet për shembjen e Akademisë së Marinës në Vlorë. Duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV Meçollari tha se populli i Vlorës, pozita dhe opozita, do të çuditen kur të dëgjojnë emrin e investitorit strategjik. Sipas tij plani për shkatërrimin e Akademisë së Marinës daton që në vitin 2010 kur në pushtet ishte PD, dhe ka vazhduar në qeverisjen e PS-së, si një histori e pastër korrupsioni.

“Kam informacionet e mia që në Ministrinë e Mbrojtjes po punohet për nxjerrjen e urdhrit për shembjen e godinës. Shembja e Akademisë do të thotë që pjesa që gjendet përpara, në inventar të Ministrisë së Turizmit, do bashkohet me pjesën e godinës, dhe e gjitha do jepet për investim strategjik në turizëm. Planet janë bërë ka shumë informacione. Populli i Vlorës do çuditet kur të dëgjojë emrin e investitorit, do çuditet pozita dhe opozita. Unë s’jam çuditur, sepse kam informacion se çfarë po ndodh. Do ta bëjë publik vet kryeministri. Shkolla e Marinës, shkatërrimi i saj është një histori që përfshin edhe opozitën edhe pozitën. Shkatërrimi i saj ka filluar në vitin 2010 kur ministër ishte Imamiy dhe ka vazhduar me intensitet të lartë, me Kodhelin, dhe Pirro Vëngu pritet të firmosë shkatërrimin e saj. Ajo është një histori korrupsioni e pastër. 42 mijë metër/katror ka qenë pronë e administratës së luftës së Italisë. I është shpronësuar administratës italiane dhe nga ajo i ka kaluar shtetit shqiptar.

Në këtë territor s’ka ish-pronarë. Dokumentet janë por Avokatura e Shtetit fillon punën vetëm kur e detyrojnë oligarkët të merret me prona të tilla. Edhe ajo copë pronë që ka mbetur, 42 mijë metër/katror, nga një pronë e vetme sot janë 7 prona, është bërë copa-copa, pjesën më të madhe e ka Ministria e Turizmit. Aty ka qenë e vetmja Akademi Detare në historinë e Shqipërisë. 6 deputetë të PS u premtuan qytetarëve dhe ish-detarëve në 2020-ën, që do ta ruajnë. Sot është bërë peng e investitorëve strategjikë dhe oligarkëve që duan ta tjetërsojnë”.

Ndër të tjera ai thotë se ka informacion se në janar të vitit 2023 janë propozuar 4 prona për t’u nxjerrë nga plani i përhapjes: Ishulli i Sazanit, një pjesë e Porto Palermos, Kavalishenca e Durrësit dhe Kavalishenca e Jalës.

U bëj thirrje të gjithë ushtarakëve në Ministrinë e Mbrojtjes mos firmosni letra në shkelje të ligjit dhe interesit kombëtar. Ministri e ka ndarë mendjen se çfarë do të firmosë, sepse hoqi edhe sekretaren e përgjithshme Prodani për këtë punë. Në SPAK gjenden 9 raste që lidhen me trajtimin e pronave të FA. Sazani është në planin e vendosjes dhe të përhapjes së forcave detare, nuk mund të trajtohet për destinacion tjetër. Dhënia me qira e gjithë bazës së Sarandës për përdorim turizmi do të çojë njerëz përpara hekurave”.