Nga: Aranit Muraçi
Sot mund të jetë dhe duhet të jetë ditë e madhe për Shqipërinë. Sepse pavarësisht historisë së saj dramatike, kufijve ndarës, Shqipëria mbeti dhe do të jetë e Madhe.
Është e Madhe Shqipëria, aq sa është, aty ku është me apo pa kufij ndarës: Natyrale, Etnike, mund ta quajnë si të duan, thjesht shtrihet gjithandej, ku shumica janë apo e thërrasin veten pa u trembur dhe pa u menduar dy herë: Po, jam 100 për qind shqiptar!
U bënë përpjekje të mëdha, për t’i ndarë, copëtuar, mohuar, asgjësuar. Ishin kryesisht përpjekje të dëshpëruara, të dështuara. Nuk ka provë më të madhe për Shqipërinë e Madhe se sa bashkimi në NJË i lojtarëve të Kombëtares sonë. Kanë vite që ata luajnë për një Komb, një flamur, frymëzohen nga të njëjtit heronj, kanë një histori, këndojnë të vetmin himn, flasin një gjuhë, mbrojnë të njëjtat ngjyra, luftojnë për të njëjtin qëllim.
Sot ata duan të bëhen pjesë e historisë sonë. Janë në një betejë, vetëm 90 minuta larg saj. Një komb i tërë, nuk dihet se sa është i shpërndarë në të gjithë botën: 12 a 15 milion shqiptarë. Të gjithë do të jenë me sy e veshë, me zemër nga ata. Me krenarinë dhe nderin që iu jep emri: Shqiptar! Duan fitoren!
Vetëm fitorja e mundshme ndaj Polonisë sot në Tiranë, i çon në Botërorin e Katarit. Barazimi i mban në lojë, por zbeh shanset e kualifikimit.
Futbolli thuhet shpesh se i bashkon njerëzit, politika është ajo që i përçan. Kombëtarja i ka bashkuar shqiptarët, aq herë sa politika mund t’i ketë përçarë ata. Ndaj edhe misionin e saj Kombëtarja e ka arritur. Në arenën ndërkombëtare me kualifikimin në finalet Europianit 2016, Kombëtarja e vulosi suksesin e parë të madh ndërkombëtar që Shqipërisë i mungon në shumë fusha të tjera. Tani i mungon thjesht suksesi tjetër historik: ëndrra e madhe që edhe himni shqiptar të këndohet në finalet e një botërori.
Nëse i referohemi historisë dhe krahasohemi me të tjerët, me të drejtë disa mund të thonë se edhe në rast kualifikimi mund të mos ketë edhe aq shumë vend për eufori. Në një botëror, nga vendet ballkanike, vetëm Shqipëria nuk ka arritur të shkojë deri tani në finalet e tij, si dhe shtetet e vogla përreth saj ku ka dhe jetojnë shqiptarë: Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Rumania, Bulgaria, Greqia, Kroacia, Serbia, Sllovenia, Bosnia, Turqia, e kanë arritur këtë sukses. Në këtë aspekt, duket sikur shqiptarët janë më të dështuarit në Ballkan.
Por dhqiptarët mund t’i kenë munguar finaleve të Kupës së Botës, për shkaqe të ndryshme, ekonomike, politike, apo edhe të traditës dhe kulturës sportive që kemi pasur si komb, duke qenë se zhvillimin e përjetuam më vonë se të tjerët. Që nga Loro Boroçi, Panajot Pano, Sabah Bizi, Arben Minga, Augustin Kola, Sulejman Demollari, Rudi Vata, Altin Lala, Lorik Cana, e shumë të tjerë, Kuqezinjtë mund të kenë qenë afër ose larg ndonjë kualifikimi të mundshëm, por ndoshta kurrë më pranë suksesit se sa sot.
Ekipi që përfaqëson Shqipërinë në fushatën kualifikuese “Katar 2022” përbëhet nga lojtarë me eksperiencë të mjaftueshme dhe të rinj tepër të talentuar. Nuk kanë thjesht dëshirë për të fituar. Ata kanë treguar se mund të shkojnë larg dhe mund të fitojnë ndeshje vendimtare, siç është takimi i sotëm me Poloninë.
Jemi përballë një kundërshtari që ka më tepër eksperiencë, në këtë aktivitet, kemi përballë një kombi më të madh. Normalisht mund edhe të humbin ndeshjen. Në një rast të tillë humbja nuk do të ishte dramë, as tragjedi. Mjafton të triumfojë shpirti luftarak, që ëndrra “Botëror” të mos jetë më e largët si dikur.
Ky ekip ka shansin historik për t’u kthyer në një model frymëzimi për të rinjtë. Disa nuk kanë lindur në Shqipëri, as në Kosovë, as në troje të tjera shqiptare. Kanë lindur në vendet e zhvilluara të Europës, por janë rritur me dashurinë për Atdheun dhe Shqipërinë.
Tanimë e gjithë vëmendja është te trajneri Edy Reja dhe formacioni që ai do hedhë në fushë. Ndryshe nga ndeshja me Hungarinë, Gjimshiti dhe Çekiçi, do të mungojnë për shkak dëmtimi apo skualifikimi. Cikalleshi për arsye shëndetësore. Bajrami, Veseli dhe Broja shihen si zëvendësuesit e tyre.
Formacioni i mundshëm i Shqipërisë: (3-5-2): Berisha, Hysaj, Ismajli, Kumbulla, Veseli, Trashi, Bare, Gjasula, Bajrami, Uzuni dhe Broja
Ndeshja do të gjykohet nga një treshe frenceze me përvojë ndërkombëtare, me gjyqtar kryesor, Clément Turpin.
Le të besojmë se sot do të jetë ditë e madhe për Shqipërinë! Është e Madhe, le të shpresojmë sot për një Shqipëri më krenare!