Agon Channel fiton përfundimisht në përballjen me qeverinë shqiptare, pasi Arbitrazhi i Bankës Botërore ka rrëzuar rekursin e qeverisë Rama dhe i ka dhënë të drejtë televizionit të biznesmenit italian Francesco Becchetti duke lënë në fuqi vendimin e marrë më herët.
Sipas vendimit të Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve, qeveria shqiptare i detyrohet tashmë dhe duhet t’i paguajë Becchettit 108 mln euro. Këtu nuk janë përfshirë interesat të cilat llogariten veçmas për çdo vonesë në pagesën e dëmshpërblimit. Vendimi është marrë më 29 mars, ndërsa trupa arbitrazhit përbëhej nga tre gjyqtarë, amerikane Grant Hanessian kryetar, Robert Anderson KC i Mbretërisë së Bashkuar dhe Charles Poncet i Zvicrës.
Qeveria shqiptare është rrëzuar në të gjitha kërkesat e saj. Vendimin e lënë në fuqi dhënë po nga qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve i jepte të drejtë pretendimeve të biznesmenit italian, Francesco Becchetti dhe familjarëve të tij në biznes, në padinë e ngritur prej tij kundër Shtetit Shqiptar, duke gjetur se “pala përgjegjëse shpronësoi në mënyrë të paligjshme interesat e paditësve në kompaninë mediatike shqiptare Agon Set sh.p.k (“Agonset”). Në vendim thuhet se për Francesco Becchetti dhe 2 ortakët e tij do të përfitojnë si dëmshpërblim duke llogaritur interesat rreth 108 milionë dollarëve.
Mauro De Renzis do marrë 46,7 milion euro, Stefania Grigolo rreth 11,7 milionë euro dhe Francesco Becchetti 41 milionë euro. Vendimit i janë shtuar edhe rreth 8 milion dollar të tjerë janë shpenzime gjyqësore, ekspertë dhe dëshmitarë ndërsa mbi 600 mijë dollarë të tjera kushton arbitrazhi parë dhe 145 mijë dollarë shqyrtimi i dytë.
Përveç veprimeve konkrete që kanë bërë autoritetet shqiptare për mbylljen e Agon Channel, arbitrazhi ndërkombëtar ka administruar si prova dhe deklaratat publike të kryeministrit Rama kundrejt biznesmenit italian Francesco Becchetti, që i cilësonte paratë e investitorit italian si të pista.