KELMENT BAÇI/ Kryetarja e Komisionit Hetimor për Inceneratorët, Jorida Tabaku, ka denoncuar shpenzimet që koncesionari ka bërë për fluturime dhe shkrime publicitare, të cilat, sipas saj, arrijnë në vlerën e mbi 2 milionë dollarëve.
Në një deklaratë për mediat, Tabaku u shpreh se këto shpenzime kanë ndodhur që nga viti 2018 deri në vitin 2021 dhe përfshijnë edhe pagesa për shkolla apo tërmetin. Përmes shifrave të detajuara, nënkryetarja e PD-së bën të ditur se vetëm për bileta janë paguar 720 mijë dollarë, nga të cilat, 173 mijë në vitin 2018, 47 mijë në vitin 2019 dhe 74 mijë dollarë në vitin 2020.
“Në rastin e Tiranës, ne kemi mbi 1 milion e 300 mijë euro shpenzime për sponsorizime shkollash, kontrata konsulence, të cilët kanë paguar individë, pedagogë për të shkruar shkrime pozitive për inceneratorin. Në mes të vitit të pandemisë, ne kemi një total shpenzimi udhëtimi rreth 850 mijë euro, kemi shpenzime marketingu 450 mijë euro, reklama për media 450 mijë euro, por më e rëndësishmja është që sot kuptuam nga inceneratori i Tiranës se janë skema piramidale të ngritura dhe pagesat e kompanive që zotërohen po nga Stela Gugallja, Klodian Zoto dhe Klodian Mërtiri”, tha Tabaku, duke u shprehur se procedura e kontratës është e gjitha korruptive, është e gjitha në shkelje të ligjit dhe zbatimin e kontratës.
Për sa i përket inceneratorit të Fierit, nënkryetarja e PDsë theksoi që pavarësisht se janë shpenzuar 28 milionë euro, nuk ndodh procesi i incenerimit të mbetjeve. Sipas saj, në këtë koncesion është përdorur një skemë e pastër korruptive për pastrimin e parave.
“Një zbatim të keq të kontratës, në shkelje të kontratës dhe asnjë penalitet për zbatimin e kësaj kontrate. Janë marrë 28 mln euro. Janë vendosur 0 euro gjoba. Zero euro penalitete. Ndërkohë që inceneratori akoma nuk e ka filluar punën e tij. Në të dyja rastet, në inceneratorin e Fierit dhe në inceneratorin e Tiranës, ne i kemi të dyja kompanitë sot, të dyja kompani me të ardhurat më të larta se në të gjitha kompanitë e tjera. Kompani me të ardhura më të larta është koncesioni i aeroportit të Rinasit, më pas e dyta është një bankë private, e treta dhe e katërta është inceneratori i Tiranës dhe i Fierit. Si ka mundësi që me fonde publike monopol kompania të ketë një normë kaq të lartë fitimi?
Si ka mundësi që një skemë piramidale, me pagesa jo vetëm për kompani fiktive, siç e provuam sot në komision, por edhe në kompensimin e TVSH-së, në xhirim të faturave false? Dhe së treti, me kompani që zotërohen po nga Klodi Zoto, Gugallja dhe Mertiri, janë marrë pagesa nga fondet publike. Sot bëhet fjalë jo vetëm për një procedurë korruptive në konceptim të saj, por sot bëhet fjalë për një skemë të pastrimit të parave dhe të pagesave që kanë shkuar në duart e zyrtarëve shtetërorë”, theksoi Tabaku.
Nga ana tjetër, kryetarja e Komisionit Hetimor për Inceneratorët vuri në dukje se “kompani konsulence për inceneratorin e Tiranës zotërohet nga z. Mirel Klodian Mërtiri. Të tria kompani të cilat marrin nënkontraktorë dhe marrin fonde publike nga kjo kontratë publike”. Në lidhje me debatet në komision mbi mënyrën e pyetjes së dëshmitarëve dhe qëndrimin e anëtarëve të maxhorancës, Tabaku tha se: “Unë i mirëkuptoj kur ata mbrojnë kolegët e tyre, edhe kur mbrojnë ministrat, edhe kur mbrojnë Kryeministrin, por të mbrosh një kompani e cila sot është provuar që ka kryer vepër penale, për mua është jo vetëm joetike dhe jomorale, por është në shkelje të ligjit dhe kushdo që e bën këtë, sigurisht që i del në krah korrupsionit”.
Marrë nga Gazeta Panorama