Skandal në Gjykatën e Apelit! Lirohet ende pa u arrestuar biznesmeni Isuf Berberi, i cili akuzohet se mashtroi për investimet në puset e naftë.
Berberi, drejtues i kompanisë së naftës “Phoenix Petrolium”, akuzohet për ‘mashtrim me pasoja të rënda’. Mësohet se Berberi kishte marrë më herët në mungesë masën ‘arrest në burg’, ndërsa togat e zeza vendosën ta lironin nga akuzat. Gjykata ka ngarkuar Prokurorinë që të ekzekutojë vendimin në fjalë.
HETIMET E PROKURORISË
“Phoenix Petrolium”, e drejtuar nga Berberi, ishte në qendër të skandalit financiar. Nga hetimet e prokurorisë, pas kallëzimit të bërë nga drejtori i Albpetrol, rezulton se kjo shoqëri me drejtues Naim Kasën dhe Isuf Berberin, ka marrëveshje për shfrytëzimin e puseve të naftës me qeverinë shqiptare dhe ecuria e saj mbikëqyret nga AKBN.
Sipas kontratës, kompania kishte detyrimin për të bërë investime në puset e naftës, të cilat nuk i ka realizuar. Megjithatë, kjo kompani, ka paraqitur pranë Agjencisë tetë fatura të falsifikuara për shërbime që realisht nuk i ka përfituar nga kompania amerikane Black Swan Energy Service. Falsiteti i këtyre faturave – thuhet në dosjen hetimore është konfirmuar nga autoritetet gjyqësore amerikane dhe vlera totale e tyre është 1.3 mln dollarë. Prokuroria ka dyshime të forta se zyrtarët e AKBN-së, ku kryesori është Klodian Gradeci, kanë certifikuar në mënyrë të kundraligjshme punimet e pakryera nga kompania, duke i shkaktuar institucionit një dëm financiar në vlerën e 1.4 mln dollarësh.
Ndërsa inspektorët tatimorë, Arben Doda e Simon Marku, të cilët ndodhen në pranga, kanë përpiluar një raport kontrolli në kundërshtim me ligjin, duke i shkaktuar institucionit një dëm ekonomik më shumë se gjysmë milioni dollarë. Ndaj biznesmenëve të Feniks Petroleum, rëndojnë dyshimet për mashtrim me pasoja të rënda, fshehje e të ardhurave, për zyrtarët e agjensisë, është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës, ndërsa për tatimorët, ajo e moskryerjes së detyrave nga organet tatimore./Bw