Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u pyet nëse ka dijeni që Lulzim Basha mund të udhëtojë në SHBA ose jo. Deputeti tha se nuk i mban agjendën ish-kryedemokratit, duke theksuar se ai udhëton ku ka dëshirë.
Bardhi u shpreh se “nuk ka rënë ndonjëherë muhabeti ta pyes ku udhëton”.
“Nuk e di, nuk jam zyrë konsullore, nuk mbaj agjendën e zotit Basha. Patjetër që jam mik. Nuk më ka rënë ndonjëherë muhabeti ta pyes ku udhëton. Di që udhëton ku ka dëshirë të udhëtojë. Kur të ketë një gjë të re qëndrimi im ka qenë partneritet strategjik me SHBA”, tha Bardhi në Abc.
Ndërkohë teksa foli për financimin rus të PD në kohën kur kjo forcë politike drejtohej nga Basha tha se ai nuk kishte dijeni.
Bardhi u shpreh se është emëruar Sekretar i Përgjithshëm në vitin 2019, ndërsa shtoi se kjo çështje është mbyllur nga Gjykata e Apelit.
”S’kam asnjë dijeni. Jam emëruar sekretar i përgjithshëm në janar 2019. Di që ka pasur një hetim dyvjeçar për këtë çështje, ka pasur dy vite retorikë politike nga PS mbi këtë çështje dhe di që hetimi është mbyllur me vendim nga apeli në mënyrë përfundimtare. Gjatë këtyre ditëve nuk kam parë ndonjë të dhënë shtesë. SHBA flasin me zë me figurë, nëse kanë një shqetësim me PD, me një politikan brenda grupit të PD dalin e bëjnë të qartë qëndrimin e tyre”, theksoi nder te tjera Bardhi.