A do t’i kthehen shqiptarët gjeneratorëve? Ja si përgjigjet ministrja Balluku për çmimin e energjisë!

Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku tha se qeveria shqiptare ka investuar që skenarët e ndërprerjes së energjisë të mos përsëriten më. 

Në një intervistë për Euronews, Balluku e lidhi krizën energjetike me një situatë gjeopolitike të nxitur nga tregjet e naftës, me të cilën siç tha ajo po përballet Europa.

A mund të rikthehen imazhet e gjeneratorëve si dikur, ekziston një skenar i tillë?

Balluku: Ne kemi investuar, kemi planizur që ai skenar të mos kthehet kurrë. Sot që flasim jemi në kushte lufte, është një situatë jo politike e nxitur nga tregjet e naftës. Ky është një cikël i mbyllur për disa aksioneve që janë ndërmarrë.

As Shqipëria dhe as Gjermania nuk ishin të përgatitur që të përballeshin me këtë krizë. Ne nuk duam që shqiptaret të përballen me ndërprerjen e energjisë dhe me rritjen e çmimeve.

Për të gjithë shqiptarët, ministrja dha edhe një lajm të mirë, se në ditët në vijim pritet të ketë reshje shiu, duke bërë që situata hidrike në vend të përmirësohet.

“Kemi edhe disa lajme të mira. Presim reshje në datat 2, 3, 4 dhe 5 prill në Kaskadën e Drinit, në Maqedoninë e Veriut dhe Alpe që janë vendburime për këtë kaskadë dhe depozitat e dëborës që do na ndihmojë në maj dhe qershor. Por kemi bërë edhe blerje afatgjata të energjisë për të mos dalë në treg çdo ditë”, tha ministrja.

Më herët Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku u ka kujtuar kompanive të Ujësjellësve në vendin tonë faturat e papaguara të energjisë elektrike.

Ajo u shpreh se në rast se OSHEE u ndërpret energjinë atyre, shumë fshatra dhe qytete do të mbeteshin pa ujë.

“E rëndësishme është se të gjithë duhet të kontribuojmë. Një nga problemet që kemi pasur për shkak të mospagesave vinte nga ndërmarrjet e ujësjellësve.

kemi edhe një cikël vicioz. Në rast se OSHEE ndërpret energjinë elektrike për këto institucione atëherë shumë fshatra dhe qytete do të mbeteshin pa ujë. Ne kemi marrë ngarkesa të këtij sektori duke mbajtur barrën e debiteve të këqija”, deklaroi ajo.