Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka publikuar në Facebook fjalimin e plotë që kishte parashikuar të mbante sot në Kuvend pasi mazhoranca nuk pranoi që në rend dite të futeshin diskutime lidhur me arrestimin e ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal. Deputetja demokrate kishte zgjedhur të fliste pikërisht për këtë çështje dhe lidhjen e McGonigal me kryeministrin Edi Rama.
Sot, shqiptarët janë përballë disa provave dhe fakteve që kanë origjinën e tyre nga një hetim dhe dy akuza që i janë kryer një ish zyrtari të lartë të FBI. Akuza e parë është drejtuar ndaj ish zyrtarit të FBI sepse ai ka kryer biznes të padeklaruar, pra është korruptuar, nga oligarku Rus Oleg Deripaska ndërsa akuza e dytë është ajo e ngritur se McGonigal ka marrë 225 mijë dollarë amerikanë për çështje të lidhura me Shqipërinë qoftë këto politike, përfshirë dhe një hetim kundër Partisë Demokratike.
E gjitha kjo histori bëhet publike ndërsa vendet perëndimore janë bashkuar në një front të përbashkët për të çuar deri në fund luftën kundër autokracisë ruse. Nuk është rastësore aspak që këto dy aktpadi të drejtuar ish agjentit të FBI të jenë të ndërlidhura me njëra tjetrën sado dhe sido që kryeministri përpiqet t’i ikë gjithë kësaj historie.
Unë nuk bëj dot prokuroren, por sot si qytetare, si deputete dhe si anëtare e Partisë Demokratike kam nevojë për transparencë. Në të vërtetë janë shqiptarët që kanë nevojë për transparencë dhe siç dihet ai që s’ka faj nuk ka frikë të jetë transparent.
Sot çdo shqiptar ngre pyetjet:
– Kush janë personat të cilët kanë qënë në këto takime?
– Çfarë është diskutuar në këto takime?
– Si e takoi KM Rama zyrtarin e FBI, si një person privat që kishte ardhur jashtë funksioni apo si një person i dërguar nga FBI?
– Nëse e ka takuar si person privat përse ka diskutuar me të çështje që lidhen me koncesionet? Nën cilin tagër të agjentit të arrestuar se ka bashkëpunuar me oligarkët rus e ka takuar KM?
– A ka qenë pjesë e bisedave edhe njollosja dhe përfshirja e PD në një konspiracion të paqenë me rubla ruse?
Sot, shqiptarët kanë nevojë të dinë kush, si dhe çfarë ka ndodhur? Sot, deputetët e Partisë Demokratike, demokratët por dhe shqiptarët kanë nevojë të dinë për hetimin dhe padinë e ngritur ndaj Partisë Demokratike për lidhjet e lobimit? Sot, besoj gjithë bota ka nevojë të dëgjojë: a është akuzuar Partia Demokratike padrejtësisht?
Ne të gjithë e lexojmë qartë që kjo ka ndodhur, të gjithë e lexojmë qartë që oligarku rus ka marrë favore, ka marrë status si investitor stratgjik. Pse nuk e mori këtë status një investitor strategjik amerikan por duhet të gjenim një agjent të Deripaskës që flitej anglisht për t’ia dhënë oligarkut rus? Pse nuk e mori këtë status një investitor i huaj? Por emori një investitor i sanksionuar nga SHBA? A ka marrë favore në energji, gaz burimet hidro? Në këmbim të kujt janë marrë këto favore?
Një qeveri hipokrite që fshihet pas miqësisë me SHBA për të komplotuar kundër Partisë Demokratike që është në fakt një krijesë e SHBA. Një kryeministër që pas kuintave të marrëdhënieve shumë të mira Shqipëri-SHBA i ofron oligarkëve rus pasurinë tonë kombëtare dhe miliona euro taksa shqiptarësh.
Ua ofron Shqipërinë si tokën e tyre pasi në thelb një qeveri oligarkësh mund të mbështetet vetë tek aleatët që vijnë prej oligarkisë. E ku ka aleatë më të mirë se sa oligarkët e Putin?! Ku ka manual më të mirë për të sulmuar opozitën se sa manuali i Putin kundër opozitës?
Së fundi, por jo nga rëndësia! Kam qenë dhe jam shumë e kujdesshme në raport me çfarë flas! Por sot, mbasi e bardha mbi të zezë diskutohet në opinionin publik, një dëshmi pjesë e një gjygji në SHBA, sot minimumi duhet transaprencë! Por që jam e qartë që kjo nuk do të ofrohet nga kjo qeveri!
E për të gjithë kolegët e mi të partisë demokratike të cilët krijuan filma me rusë, e hodhën baltë ruse ndaj Partisë Demokratike që është pasuria e demokratëve. Sot, minimumi i kërkoj të heshtin e të kërkojnë ndjesë për atë akuzë që i kanë bërë padrejtësisht Partisë Demokratike. Nëse ne nuk kemi respekt për atë që përfaqësojmë, pra PD, mos prisni ta kenë të tjerët.