Bashkëshorti i saj është shpallur investitor strategjik, Shabani: Olta Xhaçka të lërë mandatin ose burrin

Aktivisti i “Nismës Thurje”, Endri Shabani, është shprehur se ministrja Olta Xhaçka duhet të lërë burrin ose mandatin e deputetes, pasi çështja e saj shkoi në Gjykatën Kushtetuese.

Komentet Shabani i bëri gjatë një interviste në emisionin “Open” në News 24, ku u diskutua lidhur me vendimet që pritet të marrë Gjykata Kushtetuese për mandatin e saj, pasi siç dihet, bashkëshorti i saj është shpallur investitor strategjik nga qeveria, diçka që sipas opozitës bie ndesh më Kushtetutën.

Ai shtoi se nëse ministrja Xhaçka ndahet nga i shoqi, kodi i pasurisë parashikon që pasuria të ndahet në gjysmë, çka sipas tij tregon edhe interesin e ministres për biznesin e bashkëshortit.

Nga ana tjetër, gazetari Mentor Kikia theksoi se çështja është shumë e qartë për gjykatësit, pasi nëse burri përfshihet në një biznes nuk mund të konsiderohet sikur bashkëshortja nuk ka asnjë lloj interesi.

Pjesë nga debati:

Kikia: Mendoj se çështja është e pastër, pretendimi i avokatit që Xhaçka nuk ka përfituar është një pretendim jo serioz. Nëse burri përfshihet në një biznes nuk mund të konsiderohet sikur bashkëshortja nuk ka asnjë lloj interesi. Vetë mbrojtësit janë koshientë për situatën ku ndodhen dhe kanë tentuar të shpëtojnë mandatin përmes konsiderimit si të pavlefshëm të padisë për çështje afatesh, pra për çështje procedural dhe jo ligjore.

Është publike që bashkëshorti i Xhaçkës është shpallur investitor strategjik, madje kur u bë publike çështja qeveria e mbrojti këtë kandidaturë duke thënë që plotëson gjithë kriteret. Ai ka fituar pronë shtetërore sipas asaj që parashikon ligji falas, pjesën përpara të bregdetit për ta shfrytëzuar dhe është bashkëshort i ministres, këtu nuk ka asnjë hapësirë për të interpretuar. Mendoj se mund t’ia hedhin vetëm.

Shabani: Nëse ndahet Xhaçka nga i shoqi kodi i pasurisë e ndan pasurinë në gjysmë. Ligji thotë që nuk mund të përfitojë nga prona publike, pse është lodhur kot avokati. Mjafton të marrësh Kushtetutën që të dallosh se është shkelje, pse është vënë ajo në Kushtetutë, që ai që ka pushtet publik të mos përfitojë nga ky pushtet.  Ajo duhet të lërë ose burrin ose mandatin.