“Në shënjestër”
Dokumentari/ Pjesa e Parë
Tashmë, nuk përbën më sekret.
Ato dolën dhe janë aty, përpara nesh.
Pa emër, por me ngjyrën e tyre, duke na provuar atë që deri dje, ishte vetëm një përfolje dhe asgjë më shumë.
Por që sot janë një barrë prove, që na tregon përmasat e vërteta se deri në çfarë niveli ka mbërritur korrupsioni në Shqipëri.
Para që ulërasin fort, duke na treguar se korrupsioni në qeverinë Rama jo vetëm nuk është luftuar, por me shumat e fundit të gjetura në apartamentin e zyrtares së tij, duket se ka marrë përmasa edhe më groteske.
Skandal që duket se shkërmoqi njëherë e mirë edhe ngrehinën e ngritur me aq kujdes nga kryeministri Rama, për luftë të paepur të qeverisë se tij ndaj korrupsionit, por që rrëzoi edhe mitin e ngritur me aq sofizëm prej tij, se gratë në poste zyrtare janë më pak të korruptuara se burrat.
Mit, që u desh një pastruese e vetme, për ta rrëzuar në fare pak ditë.
Në këtë dokumentar të përgatitur nga emisioni ‘Në shënjestër’ do të flasim pikërisht për nivelin e përfshirjes së zyrtarëve të lartë qeveritarë në korrupsion, por edhe në ngjarje kriminale.
Dokumentar ku do të ndalemi në tri rastet më të fundit, ku këtë herë emra të përveçëm që dalin të lidhur me korrupsionin dhe krimin janë zyrtare të qeverisë Rama.
Rasti i parë dhe më i bujshmi, ku do të përqëndrojmë vëmendjen, është ai i Alda Klosit, ish-zyrtare në Kryeministri.
Një emër, deri dje jo shumë i lakuar, jashtë fokusit kryesor të medias, por që mori vëmendje pas lajmit se në banesën e saj u grabitën qindra mijëra euro, dollarë dhe bizhuteri me vlerë të çmuar.
Grabitje, që sipas policisë u krye më 15 dhjetor 2022, nga Rozeta Dobi dhe i biri i saj Havier Dobi.
Rozeta Dobi që rezultoi të ishte pastruese në apartamentin e zonjës Klosi.
Ngjarje, e cila më shumë se sa akti i pastrueses dhe të birit, vëmendja e opinionit publik u përqëndrua te pasuria e jashtëzakonshme monetare që kishte grumbulluar në fare pak vite punë zyrtarja e qeverisë Rama.
Por edhe te dëshmitë e saj kontroverse, mbi legjitimitetin e këtyre parave.
Çka rriti ndjeshëm dyshimin te media dhe opinioni publik, se këto para ndryshe nga sa deklaronte zonja Klosi, ishin fryt i një afere korruptive.
Që lidhej edhe me pozicionet e saj më të mëhershme të punës, por edhe me aferën e inceneratorëve, ku ishte një nga zyrtaret që thuhet se kishte kaluar në duar, letrat.
“Profesioni im është juriste. Prej rreth 2 muajsh unë kam marrë një banesë me qira tek pallatet ‘Orion’, në Rrugën e ‘Kosovarëve’ dhe jetoj së bashku me vajzën time e cila është 16 vjeçe.
Sot rreth orës 10.08 kam dalë nga banesa, kam mbyllur derën me çelës dhe kam marrë makinën poshtë pallatit. Gjatë kësaj kohe kam shkuar në një takim me dy mikeshat e mia tek OSSHE. Pasi kam mbaruar takimin kam shkuar në zyrë tek Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare që ndodhet në afërsi të Gardës së Republikës. Rreth orës 14.00 më ka telefonuar vajza ime dhe më ka thënë se dera e banesës ishte e hapur.
Unë i thashë se e kam mbyllur derën por ajo më tregoi se të gjitha rrobat ishin të shpërndara nëpër dhomën e gjumit”, deklaroi Alda klosi më 15.12.2022
Por siç thamë ato që e rënduan më shumë pozitën e zyrtares Klosi para ligjit, u bënë dëshmitë e saj dhënë para grupit hetues mbi origjinën e parave të grabitura nga pastruesja e në apartamentin e saj.
Apartamentin ku ajo tha se jetonte me qira, gjatë dy muajve të fundit.
Sipas dëshmisë së parë të dhënë para oficerëve të policisë, ditën e ngjarjes, Alda Klosi rezulton të jetë shprehur se në këtë ditë ka qenë në Shqipëri.
Dhe se lajmin për grabitjen e mësoi nga vajza e saj, e cila e kishte gjetur banesën në gjendje të ç’rregullt.
Dëshmia e vajzës së Alda Klosit:
Më datë 15 Dhjetor 2022, rreth orës 7.30, unë kam dalë nga banesa dhe kam shkuar në shkollën ‘Sami Frasheri’, ku jam nxënëse në vitin e parë. Unë kam qëndruar në shkollë deri në orën 11.30. Më pas jam ulur te një hotel që ndodhet te Rruga e ‘Barrikadave’ ku kam pirë kafe me shoqërinë e klasës.
Rreth orës 13.50, unë kam shkuar tek zyra e nënës sime, Alda Klosi, tek zona e Gardës, ku kam qëndruar vetëm për disa minuta, dhe më pas në këmbë kam shkuar tek shtëpia në Rrugën e ‘Kosovarëve’. Në momentin që ndodhesha në banesë konstatova se dera ishte pak e hapur.
U futa në shtëpi dhe pashë se pjesa e kuzhinës ishte në rregull, ndërsa në dhomën e gjumit konstatova se rafti ishte i hapur dhe të gjitha rrobat ishin të hedhura në tokë. Pas këtij momenti telefonova menjëherë mamanë time, ku i tregova për situatën.
Kjo dëshmi e vajzës u mbështet edhe nga mamaja e saj.
E cila siç rezulton më pas, rendi drejt apartamentit të saj për të parë se çfarë kishte ndodhur.
Dëshmia e Alda Klosit, 15 Dhjetor 2022:
Pasi fola me vajzën, menjëherë u nisa për në banesë, ku konstatova se tek dhoma e gjumit të gjitha rrobat e dollapit ishin të hedhura mbi krevat dhe në dysheme.
Aty vura re se më mungonin të gjitha bizhuteritë e shumë viteve të cilat kanë qenë tek sirtari i parë i komodinës së vogël në krah të dollapit. Pas këtij konstatimi unë lajmërova policinë në telefon.
Deklarimet e nënës dhe vajzës, u përforcuan edhe nga administratori i pallatit, ku ato banonin.
I cili tregoi se si e gjeti vajzën duke qarë, vetëm pak minuta para se aty të mbërrinte policia.
Në dosjen hetimore thuhet se administratori i pallatit ‘Orion’ A. N, deklaron se më datë 15 Dhjetor 2022, rreth orës 14.00 e ka telefonuar një banor i pallatit të cilin e njihte me emrin Landi dhe i ka thënë se kishte ngelur një fëmijë në ashensor.
Pas kësaj, ai thotë se menjëherë ka shkuar tek pallati dhe ka shikuar një zonjë që banon në katin e parë, që po qante në trotuar dhe disa persona të tjerë. Këtu ai është afruar dhe ka mësuar në lidhje me vjedhjen e banesës së shtetases Alda Klosi.
Ai sqaron se gjatë kohës që ka qenë në punë, duke filluar rreth orës 06.30 dhe deri në orën 12.30, koha kur është larguar fillimisht, nuk ka parë ndonjë person të dyshimtë.
Por, siç do të shikohet më poshtë në intervistimin e saj të parë nga oficeri i policisë gjyqësore, Alda Klosi, nuk flet asgjëkundi për sasinë e madhe të parave që ishte grabitur në banesën e saj.
Por vetëm për para që sipas saj shërbenin për shpenzime vetjake.
“Nga kontrolli paraprak kam konstatuar se më mungonin edhe një sasi parash për shpenzime dhe mbarëvajtjen jetike të përditshme.
Gjithashtu mua më mungonin edhe bizhuteritë nga të cilat katër kanë qenë byzylykë floriri, disa unaza, disa palë vëthë dhe bizhuteri të tjera por që unë nuk jam në gjendje t’i përshkruaj, si dhe vlerën nuk jam në gjendje ta përcaktoj”, ka deklaruar ajo.
Por zbulimi që do vinte më pas do të ishte tronditës.
Pasi nga hetimet dhe identifikimi i autorëve të grabitjes, që në fillim dukej një vjedhje e zakontë, rezultoi se shuma e parave i kalonte shumëfish shpenzimet vetjake.
“Banesa ka 5 çelësa dhe një kopje e kam unë, një kopje vajza ime, dhe një kopje pastruesja e cila quhet Roza por mbiemrin nuk ja mbaj mend.
Në kohën që unë kam dalë nga apartamenti nuk ka patur asnjë person. Nuk kam parë ndonjë person të dyshuar konkret por e le në gjykimin tuaj për të vlerësuar gjithë rrethin e personave që ju mund të vlerësoni si të dyshuar”, deklaroi Alda Klosi.
Por ndërsa Alda Klosi jepte këto deklarime, e gjithë vëmendja e grupit hetues u ndal te pastruesja e saj, që mundi të sigurojë falë metodave speciale të hetimit, prova të forta se pas grabitjes së zyrtares së lartë, qëndronte pikërisht ajo edhe dhe i biri i saj.
Por nga hetimet e mëtejshme do të rezultonte se shuma e grabitur në banesën e zyrtares, e cila deri në këtë moment nuk e dinte se sa para kishte në apartamentin e saj, do të ishte shumë më e madhe, se sa vetë policia kishte mundur të gjente dhe të numëronte në momentin e parë të kontrollit në banesën e pastrueses Dobi.
Këtë herë shuma nuk do të ishte 120 mijë euro, por disa fish më e lartë.
Pas kontrollit të dytë të kryer në banesën e familjes Dobi, ku në tubin e aspirimit të kuzhinës, policia gjeti të fshehura edhe 400 mijë euro të tjera. Para të cilat, siç thamë, nuk u pikasën në kontrollin e parë të ushtruar nga policia, por që identifikimi i tyre u bë i mundur vetëm falë përgjimit ambiental të kryer në dhomat e policisë, gjatë bisedave të shkëmbyera midis nënë e bir.
Respektivisht, pastrueses Rozeta Dobi dhe djalit të saj Havier Dobi.
Gjatë këtij përgjimi, në një moment, e ëma kritikon të birin, përse kishte harxhuar aq shumë para, ndërsa i premton se do ta marrë ajo përsipër fajin.
Ndërkohë që i biri dëgjohet teksa i thotë, se për paratë e tjera të fshehura lart, do kujdesej ai vetë.
Do të ishte ky përgjim, siç e thamë që do të kthente edhe njëherë policinë në banesën e familjes Dobi.
Ku do të bënte një tjetër zbulim të madh.
“Nisur nga dyshimet e krijuara, mbi shumën e vjedhur në banesën në Rrugën e ‘Kosovarëve’, bazuar në inteligjencën informative dhe veprimet hetimore të thelluara, ushtruam rikontroll në banesën e nënë e bir.
Gjatë kontrollit në banesë, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në tubin e aspirimit, 404 800 euro, 8 500 dollarë dhe aksesorë floriri, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Do të ishte vetë Rozeta Dobi e cila në vazhdim do të tregonte edhe se si e kreu vjedhjen në banesën e zyrtares së Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare.
Grabitje të cilën e justifikoi me urrejtjen e madhe që kishte për punëdhënësen e saj”, thuhet në dosjen hetimore.
“Më datë 15 Dhjetor 2022 i kërkova djalit tim Havier Dobi të më dërgonte me makinë tek banesa e Aldës.
Pasi hyra në banesë, të cilën e hapa me çelsin që disponoja, bëra fillimisht një kontroll për të parë se çfarë ajo kishte në apartament. Gjatë kontrollit vura re se në dhomën e gjumit në dollap ajo mbante një kasafortë e cila ishte në ngjyrë gri. Pasi e hapa, brenda saj konstatova se ndodheshin shuma monetare të prejeve 200 dhe 500 euroshe dhe 100 dollarëshe. Në momentin që pashë këto shuma parash nga urrejtja që kisha krijuar ndaj Alda Klosit i mora paratë dhe u largova më pas me mjetin e djalit tim”, ka deklaruar Rozeta Dobi
Por ai që do të fundoste të gjithë skenarin e ndërtuar me aq kujdes të grabitjes, do të ishte vetë djali i pastrueses, Rozeta Dobi, i cili mesa duket nga padurimi, filloi të shpenzojë në luks paratë e grabitura nga nëna e tij.
Ndërkohë që atij iu sekuestruan ndër të tjera dy automjete Mercedes Benz, të blera me paratë e grabitura në banesën e Alda Klosit.
“Më datë 15 Dhjetor 2022 rreth orës 09:00 unë kam shkuar me makinën time Mercedes-Benz së bashku me mamanë tek Rruga e ‘Kosovarëve’, pasi mamaja ime punon si sanitare tek një banesë në kompleksin ‘Orion’. Pas rreth 10 minutash, mamaja ka dalë dhe kishte me vete një çantë shkolle ‘Adidas’.
Në momentin që kemi mbërritur te lagjia jonë vura re se mamaja nxorri nga çanta një kasafortë, të cilën e hodhi te koshat e plehrave. Disa ditë më vonë mamaja më tregoi tregoi një shumë parash me prerje 500 dhe 200 euro, si edhe me prerje 100 dollarë, ku më tha se këto para ajo i kishte marrë te banesa te Rruga e ‘Kosovarëve’ ku ajo punonte si sanitare”, tha Havier Dobi.
Por gjetja e kësaj shume marramendëse parash, duket se ndryshoi edhe njëherë mendimin e zonjës Klosi.
Ku ndërsa herën e parë tha se në banesë kishte para vetëm për shpenzime vetjake, në deklarimin e dytë para agjentëve të policisë, ajo tha se kishte 120 mijë euro.
Por nuk pranoi asnjë autorësi për 400 mijë eurot e tjera të gjetura në banesën e pastrueses së saj, të cilat kjo e fundit tha, se edhe këto para I kishte marrë në banesën e Alda Klosit.
Ndërkohë në dosjen hetimore thuhet se Alda Klosi, ka deklaruar që gjatë kësaj kohe ajo ka menduar me qetësi për sendet që ka patur dhe thotë se ditën e ngjarjes i janë vjedhur një shumë në valutë të huaj më shumë se 120 000 euro, të cilat kanë qenë në prerje 500 dhe 200 euro si dhe një shumë prej 30 000 dollarë.
Ajo deklaron gjithashtu se këto para i kishte të xhaxhait dhe nuses së xhaxhait të saj i cili ia ka lënë për të kompletuar shtëpinë e tyre dhe për nevoja të tyre pasi xhaxhain e ka të sëmurë me sëmundje të rëndë dhe për çdo nevojë që do të kishte.
Kjo pasi sipas saj djali i tyre është me probleme dhe këto lekë janë të mbledhura ndër vite nga ana e të afërmve të saj të cilët jetojnë në Amerikë. Ku ajo deklaron se edhe xhaxhai i saj, po kurohet në Amerikë këto kohë.
“Në administratën këtu kemi dy lloje emërimesh, emërime që vijnë për shkak të lidhjeve politike dhe janë individë që kontribuojnë në fushata elektorale dhe shpërblehen me poste administrative dhe kjo kategori është deri diku kategoria më e korruptuar e strukturës shtetërore.
Është e korruptuar jo sepse partitë janë në thelb më të korruptuara sesa tjerat, por sepse nuk kanë ardhur sipas sistemit të transparencës dhe meritokracisë dhe as për shkak të CV-së profesionale të tyre.
Emërimin e tyre në administratë e shohin si një shans për të kompensuar financiarisht gjendjen e tyre, gjendjen e familjes, gjendjen e miqve dhe gjendjen e kolegëve të partisë politike”, deklaron Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike.
Por ndërsa për 120 mijë eurot, zyrtarja Klosi tha se janë të xhaxhait të sëmurë në Amerikë, dëshmitë e saj kontroverse, duket se nuk e kanë bindur grupin hetues.
Shuma marramendëse e gjetur e fshehur në banesën e pastrueses së saj, e cila rrëfeu se të gjitha paratë i kishte grabitur në banesën e zyrtares, ngritën shpejt edhe një furtunë në opinionin publik.
Opinion publik që tashmë u ndal jo te akti i pastrueses, por te pasuria e gjetur në banesën e zyrtares së lartë të qeverisë Rama.
Çka e detyroi kryeministrin Rama, i gjendur në një presion të fortë politik, që të reagonte në një postim në twitter.
Duke hequr çdo barrë fajësie mbi qeverinë dhe duke ia ngarkuar atë vetë personave përgjegjës.
Të cilëve, si kurrë më parë ai iu drejtua me fjalët llumi.
“Nuk e di kur do ta kuptojnë disa që Reforma në Drejtësi dhe forcimi i institucioneve ligjzbatuese bëhen pikërisht për të pastruar llumin!
Prandaj kur del llumi falë punës së këtyre institucioneve, s’duhet harruar se këto janë provat e vullnetit tonë kundër korrupsionit!
E thënë ndryshe, në një kohë tjetër policia apo drejtësia nuk ia nxirrnin kurrë lakrat në shesh njerëzve të veshur me kostum zyrtar, ndërsa sot kohët ndryshojnë përditë për mirë edhe në këtë drejtim! Sepse sot vullneti politik është i plotë dhe mburoja e vjetër politike ka rënë! Unë uroj vetëm që t’u shkohet sa më shumë deri në fund historive të ulëta me para të pista dhe forca e ligjit të mos ndalojë përpara askujt, kur faktet provojnë se është shkelur ligji për përfitime të paligjshme, nga kushdo qoftë”, shkroi ai në Twitter.
Por në të gjithë këtë histori, ata që u ndjenë më të tradhtuar, siç thamë, ishin qytetarët.
Të cilët në përceptimin e tyre, panë këtë herë, se si paratë e tyre ishin mbledhur në një kasafortë.
Dhe jo në kasafortën e thesarit të shtetit, por të një zyrtareje e cila ishte aty për t’u shërbyer atyre.
“Është interesante që sa herë që ndodhin skandale ne akuzojmë ministra, por në fakt njerëzit që firmosin janë sekretarët e përgjithshëm dhe ata duhet të ishin modeli i administratës në Shqipëri, funksionarët e drejtorëve të përgjithshëm janë zyrtarët me të ardhurat më të larta në Shqipëri. Kur administrate nuk të siguron të ardhura, nuk të siguron një standart më të lartë se pjesa tjetër.
Dhe si sigurohen këto, përmes këtij sistemi klientelist, përmes akteve korruptive dhe përmes një fenomeni”, thotë Afrim Krasniqi.
Ajo çka e bëri edhe më groteske të gjithë këtë ngjarje, e cila duhet të kishte shkundur nga themelet qeverinë dhe shoqërinë, është se askush nuk i doli për zot, 400 mijë eurove të tjera të gjendura në banesën e pastrueses Rozeta Dobi.
Para të cilat kjo e fundit thotë se i mori bashkë me të tjerat në kasafortën e apartamentit të zyrtares Alda Klosi. Ndërsa kjo e fundit mohon të jenë paratë e saj, duke deklaruar si para të sajat, vetëm 120 mijë euro dhe bizhutë e gjendura fillimisht në banesën e familjes Dobi.
“Shoqëria shqiptare po e çon në dy dimensione. Në dimensionin e parë është cikli që duhet të kalojmë ne që është një cikël normal dhe nga ana tjetër sa i përket veprimeve korruptive nuk është një cikël që e ka origjinën në Shqipëri, por është për shkak të situatës në të cilën ndodhemi ne ku shërbimet nuk kanë më karakter parësor, por kanë filluar të grumbullohen në pak duar dhe duke qenë se janë në pak duar të gjitha shërbimet padyshim që veprimet që vijnë për pasojë do të jenë korruptive”, tha juristi Sokol Hazizaj.
Por ndërsa këto zhvillime të vrullshme, duhet të kishin vënë në lëvizje SPAK, duket se ky institucion i ngritur nga reforma në drejtësi për të ndjekur paranë, ka vendosur të dremisë dhe të mos reagojë shpejt për këtë ngjarje, ku e përfshirë është një zyrtare e lartë.
Hetim serioz që mund të nxjerrë në pah edhe shumë emra të tjerë zyrtarësh se kush mund të fshihet pas shumës së madhe të parave, që sot kërkojnë një emër.
Ndërkohë që kjo histori na tregoi se si mjafton edhe një pastruese dhe një fshesë elektrike, për të na treguar paratë dhe pastruar atë që kryeministri Rama e quan ‘llumi’.
Por edhe se si një pastruese, mundi të bëjë Vettingun, e një funksionare publike.
“Deklarata e kryeministrit kur tha që llumi do përballet me drejtësinë është përgjegjës etj.. është e pamjaftueshme. Kryeministri është zgjedhur për të drejtuar Shqipërinë dhe ka 10 vjet që e ka këtë lloj mandati.
Gjithë këtë lloj debati e shoh në këtë kontekst, sesi disa individë të paprekshëm vazhdojnë të jenë të paprekshëm për shkak të lidhjeve politike dhe sesi politikanët përgjegjës për emërimin, promovimin dhe krijimin e këtij sistemi vazhdojnë ti mbrojnë ose vazhdojnë ta largojnë përgjegjësinë nga vetja e tyre”, tha Afrim Krasniqi.