Shopullimi, Kandidati i PD Fisnik Qosja: Me projektin tim për Kavajën do bind Rininë të mos largohet. Do nxis punësimin e tyre!

Kandidati i opozitës për Kryetar Bashkie në Kavajë Fisnik Qosja ka zbuluar planin e tij për të ndalur largimin e të rinjëve nga qyteti dhe mundësitë për të ndihmuar qytetarët në nevojë.

Përmes një statusi në “Facebook”, Kandidati i PD në zgjedhjet e 14 Majit thotë se largimi i tyre po shkakton pasoja të rënda ndërsa u zotua se do të krijojë mundësi për ti integruar ata në jetën ekonomike dhe sociale.

Mesazhi i Plotë

Shqiptarët po marrin arratinë si kurrë më parë duke sakrifikuar gjithçka.

Në një menyre apo në një tjetër, drejtpërsëdrejti apo tërthorazi, drama e emigrimit ka prekur gjithsecilin prej nesh. Në gjirin e familjes, në rrethin e ngushtë shoqëror, në klasat e nxënësve, në çdo grup shoqëror ka një person që mungon. Vitet kalojnë dhe të afërmit, miqtë dhe njerëzit me të cilët jemi rritur, kemi ndarë hidhërime dhe gëzime, sa vijnë e rrallohen.

Largohen për një jetë më të mirë. Ikin larg të dashurve të tyre duke lënë prapa një gropë plot mall dhe mërzi. Ata nisen në një rugëtim që kërkon të rigjej qetësinë, larg një horizonti ku dielli ka perënduar bashkë me shpresën.

Për qytete si Kavaja, eksodi që po ndodh, mungesa e të rinjve që nuk mendojnë gjë tjetër por vetëm se si të largohen, do të thotë fatalitet shoqëror, falimentim demografik dhe ekonomik.

Në një qytet ku të rinjtë, që janë e ardhmja e komunitetit, kërkojnë të largohen me çdo kusht, atëherë ai qytet i është lënë mëshirës së fatit. Të rinjë largohen sepse në qytet nuk ka ekonomi, të rinjtë nuk integrohen në asnjë projekt domethënës, nuk ndihen të realizuar, e ardhmja e tyre nuk është shpresëdhënëse.

Emigrimi është drama e të gjitha dramave dhe kërkon një përgjigje urgjente, aq më tepër për një qytet si Kavaja ku prezenca e të rinjve është jetike.

Në krye të Bashkisë, me programin tim dedikuar ndalimit të hemorragjisë migratore, Kavaja bashkë me të gjitha njësitë administrative do të operohet që të integroj të rinjtë në jetën ekonomike dhe sociale të vendit.

Gjithashtu ata familjarë që dita ditës janë të dyzuar të vazhdojnë jetën këtu apo të largohen, me implementimin e programin ekonomik, investimet dhe vënien në punë të amortizatorëve social konkret, do nisim një fushatë të vërtetë dhe të ndershme për dekurajimin e largimit. Ndërtimi i premisave për një Kavajë të jetueshme, ngritja e një sistemi ku I jepet zë çdo problemi dhe shqetësimi të qytetarëve është e vetmja zgjidhje për ndalimin e kësaj hemoragjie.

Asnjë njeri nuk dëshiron të largohet nga vëndi i tij i lindjes, nga një vend ku ka nënën dhe babain, motrat dhe vëllezërit, miqtë dhe të afermit, nga një vend që Zoti i ka dhuruar plot të mira dhe begati.

Nga ana tjetër, asnjë politikan nuk duhet të mjaftohet duke udhëhequr një komunitet me qytetar të dëshpëruar, që nuk janë larguar ende nga vendi sepse akoma nuk i janë krijuar mundësitë për tu arratisur. Prandaj vizioni im për Bashkinë nuk mund të jetë pa ju. Të gjithë duhet të bashkohemi. Sëbashku për të rifituar shpresën. Së bashku për një të ardhme më të mire.
Së bashku për Kavajën.