Komisioni Rregullator i KQZ-së, ka hedhur poshtë propozimin e Partisë Demokratike, që fushata e zgjedhjeve lokale të pjesshme për 6 bashki të nisë në datën 7 shkurt, duke vendosur që ajo të startojë më 19 shkurt.
Gjatë fjalës së tyre, anëtarët e këtij komisioni pohuan se nuk kushtet që po mbahen këto zgjedhje , nuk ka kohë të mjaftueshme që kandidatët të prezantojnë programet e tyre jo më shumë se në një afat prej 2 javësh.
Sipas këtij komisioni, afati për dorëzimin e anëtarëve të KZAZ është 25 janari.
Data 31 janar është afati i paraqitjes së kërkesës së partive të komisioneve nismëtare, ndërsa datat 6-9 shkurt afati për paraqitjen e dokumenteve të kandidatëve.
DISKUTIMET NË MBLEDHJE
Ylli Merkaj, Sekretari përgjithshëm: Ne këtë afat e kemi përcaktuar se janë 13 KZAZ. Do bëhet verifikimi i 100 personave, duhet trajnim për këta persona. Nëse partitë do të sjellin persona, akoma më mirë, Na duhet një kohë që 24 orë këta anëtarë të trajnohen.
Helga Vukaj, Anëtare e komisionit rregullator: Jemi mësuar që në çdo zgjedhje në 30 ditë shpalosen programet. Jemi të vetëdijshëm se nuk ka kohë. Do i japim mundësi subjekteve dhe kandidatëve të pavarur që të kenë mundësi që qytetarët të njihen me programet e tyre, por jemi të kushtëzuar nga afatet ligjore. Do priremi që t’i respektojmë dhe nuk mund t’i anashkalojnë. Nuk di se ku mund të gjejmë hapësirën për t’i dhënë më shumë kohë kandidatëve për të pasur kohë për shpalosje programi më shumë se dy javë.
Madalena Koja: Afati i ngritjes së KZAZ-ve në rastin e zgjedhjeve të pjesshme është afat i shtrirë në kod. Ky afat duhet të jetë jo më vonë se 10 ditë. Në rastin tonë ne kemi ofruar aq sa është e mundur. Kemi vendosur gjysmën e kohës, pra datën 25 janar, për dorëzimin e propozimeve nga ana e subjekteve politike për ngritjen e KZAZ-ve.
Indrit Sefa: Siç e përmendet edhe më parë ku projektvendim përcakton datën e fundit, 12 shkurtin, që të përmbyllet regjistrimi i kandidatëve. Edhe 12 shkurti do të ishte e nevojshme që të kemi sa më shumë kohë për fushatë elektorale. Kjo do i shërbente kandidatëve dhe qytetarëve. Sa i përket afateve që janë përgjysmuar, e dimë se nuk jemi në kushtet normale. 2 javë, e dini shumë mirë se ka bashki që kanë shumë banorë, siç është Bashkia e Durrësit. Në 2 javë kandidati nuk orientohet dot jo më të shpalos programin. Ndaj kërkon sakrificë nga të gjitha palët. Edhe ne si PD jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë me KQZ. Do i japim mundësi zgjedhësve që të votojnë alternativën që duan.
Ilirjana Nano, Kryetare komisionit rregullator: I mbetem të njëjtën qëndrim që janë procese të nevojshme, të domosdoshme, të përcaktuar me afatet më të ngushta të mundshme. por janë procese që nuk kapërcehen. Në kuadër të kohës së nevojshme, është zgjedhur një afat më i shkurtër.
Madalena Koja: Afati 10 ditor i cituar më lart, bëhet fjalë për zgjedhjet e pjesshme.
Dritan Caka: Jemi në kushtet kur nuk kanë ngelur as 5 ditë për partitë politike, për të propozuar anëtarët e KZAZ. Po shoh në tërësi pjesën e afateve që KQZ ka sjellë pranë nesh. Shoh edhe data që janë ditë jave, jo pushimi. Çdo ditë që shtyhet, mund të shtyje me më shumë afate, afatet pasardhëse. Ndaj si përfaqësues të partive politike, ju them që ti shohim më me objektivitet.
Vendimet e mbledhjes:
Komisioni Rregullator në mbledhjen e sotme shqyrtoi dhe miratoi projektvendimin “Për miratimin e disa afateve proceduriale që lidhën me zgjedhjet e pjesshme për kryetar në bashkitë Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnje, që do të zhvillohen në datën 6 mars 20222”.
Afatet proceduriale të miratuara nga Rregullatori janë si më poshtë vijon:
- Bashkitë në të cilat do të kryhen zgjedhjet e pjesshme dhe institucionet e tyre të varësisë janë të detyruara të raportojnë në KQZ të gjitha veprimtaritë me karakter publik që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën 31 Janar 2022 deri më datë 06 Mars 2022. Të njejtin detyrim kanë edhe institucionet publike qendrore, organet e tyre të varësisë dhe degët e tyre vendore, si dhe agjencitë dhe/ose ndërmarrjet shtetërore, për veprimtari me karakter publik, që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën 31 Janar 2022 deri më datë 06 Mars 2022, në territorin e bashkive në të cilat do të kryhen zgjedhjet e pjesshme ose për to.
- Fushata zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme vendore për kryetar bashkie në bashkitë Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnje fillon në datën 19 Shkurt 2022.
- Zyrat e gjendjes civile, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, hartojnë listat e zgjedhësve jo më vonë se data 25 Janar 2022. Brenda 48 orëve nga përfundimi i përditësimit, kryetarët e njësive të qeverisjes vendore miratojnë dhe shpallin listat e zgjedhësve, në përputhje me nenin 48 të Kodit Zgjedhor.
- Partitë politike të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë/sekretar në KZAZ 2, KZAZ nr. 3, KZAZ nr. 4, KZAZ nr. 5, të bashkisë Shkodër, Qarku Shkodër; KZAZ nr. 19, të bashkisë Dibër, Qarku Dibër; KZAZ nr. 21, KZAZ nr. 22, KZAZ nr. 23, KZAZ nr. 24, të bashkisë Durrës, Qarku Durrës; KZAZ nr. 26, të bashkisë Vorë, Qarku Tiranë; në KZAZ nr. 43 të bashkisë Rrogozhinë, Qarku Tiranë; dhe në KZAZ nr. 54 dhe KZAZ nr. 55 të bashkisë Lushnje, Qarku Fier, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie, duhet të sjellin propozimet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, jo më vonë se data 25 Janar 2022. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miraton përbërjen e KZAZ- ve jo më vonë se data 27 Janar 2022.
- Partitë politike të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë në KQV, duhet t’i depozitojnë ato në KZAZ-të përkatëse jo më vonë së data 11 Shkurt 2022. KZAZ-të marrin vendim për emërimin e anëtarëve të KQV-ve, jo më vonë se data 14 Shkurt 2022.
- Partitë politike të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë në GNV duhet t’i depozitojnë ato në KZAZ jo më vonë së data 22 Shkurt 2022. KZAZ-ja, merr vendim për emërimin e anëtarëve të GNV-ve, brenda 48 orëve nga data e dorëzimit të propozimeve.
- Partitë politike duhet të paraqesin kërkesën në KQZ për regjistrim si subjekte zgjedhore, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar në bashkitë Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnje, dhe Komitetet Nismëtare për bashkitë Shkodër, Durrës dhe Lushnje, nga data 28 Janar deri në datën 31 Janar 2022. KQZ-ja kthen për plotësim dokumentacionin brenda 24 orëve nga dorëzimi. Partitë politike paraqesin dokumentacionin e korrigjuar brenda 24 orëve nga kthimi për plotësim. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miraton kërkesat për regjistrim brenda 24 orëve nga ridërgimi i dokumentacionit.
- Komitetet Nismëtare duhet të paraqesin kërkesën për regjistrim si subjekte zgjedhore, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar në bashkitë Dibër, Vorë dhe Rrogozhinë në KZAZ-në përkatëse, nga data 28 Janar deri në datën 31 Janar 2022. KZAZ-ja kthen për plotësim dokumentacionin brenda 24 orëve nga dorëzimi. Komitetet Nismëtare paraqesin dokumentacionin e korrigjuar brenda 24 orëve nga kthimi për plotësim. KZAZ miraton kërkesat për regjistrim brenda 24 orëve nga ridërgimi i dokumentacionit.
- Koalicionet zgjedhore duhet të paraqesin kërkesën për regjistrimin si koalicion për zgjedhjet e pjesshme për kryetar në bashkitë Shkodër, Vorë, Durrës, Dibër, Rrogozhinë dhe Lushnje, në KQZ brenda 24 orëve nga miratimi i të gjitha kërkesave për regjistrimin e partive politike dhe komiteteve nismëtare. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miraton kërkesën për regjistrim si koalicion brenda 24 orëve.
- Dokumentet e kandidimit paraqiten në KQZ për bashkitë Shkodër, Durrës dhe Lushnje, si dhe në KZAZ për bashkitë Vorë, Dibër dhe Rrogozhinë, nga data 6 deri në datën 9 Shkurt 2022. KQZ/ KZAZ bën verifikimin e tyre jo më vonë se 24 orë nga paraqitja dhe në rast se vëren parregullsi, i kthen për plotësim. Dokumentet e plotësuara duhet të riparaqiten jo më vonë se 24 orë. KQZ-ja/ KZAZ-ja merr vendim jo më vonë se 24 orë nga riparaqitja e tyre.
- Paraqitja e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve shqiptarëbëhet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve jo më vonë se data 18 Shkurt 2022 dhe për vëzhguesit e huaj bëhet jo më vonë se data 2 Mars 2022. Akreditimi i vëzhguesve bëhet nga KQZ-ja jo më vonë se data 3 Mars 2022.
- Paraqitja e kërkesave për akreditim nga ana e subjekteve zgjedhore pjesëmarrëse në zgjedhje bëhet në KZAZ jo më vonë se data 1 Mars 2022. Akreditimi i vëzhguesve bëhet jo më vonë se data 2 Mars 2022.
- Kryetarët e bashkive paraqesin në KQZ listën e plotë të objekteve të qendrave të votimit që përmbushin kushtet e parashikuara në ligj, jo më vonë se data 27 Janar 2022.
- Prefektët e Qarqeve Shkodër, Tiranë, Durrës, Dibër dhe Fier i paraqesin KQZ-së listën e plotë të objekteve brenda territorit të Qarkut që përmbushin kushtet e parashikuara në ligj për Vendin e Numërimit të Votave, jo më vonë se data 27 Janar 2022.
- Rezultatet e sondazheve zgjedhore nuk mund të publikohen gjatë 3 ditëve të fundit para datës së zgjedhjeve, përfshirë edhe datën e zgjedhjeve deri në orën e mbylljes së votimit.
- Kryetarët e bashkive në detyrë të përcaktojnë vendet publike në territorin e bashkisë përkatëse për afishimin nga subjektet zgjedhore të materialeve propagandistike jo më vonë se data 10 Shkurt 2022.
Gjithashtu, Komisioni Rregullator miratoi një ndryshim në në regulloren për mënyrën e funksionit dhe zhvillimit të seancave të KAS. Ndryshimi konsistonte në përcaktimin e afatit të ankimimit në KAS, ku për zgjedhjet e parakohshme dhe/ose të pjesshme afati i ankimimit 3 (ditë), bëhet 24 orë.