“Gjela Deti nga Bashkia Kavajë si mëshirë”, Hysen Kadiu Uron vitin e Ri dhe sulmon qeverinë për paketën e ndihmës: Rilindja tallet me hallet e qytetarëve

Kryetari i Partisë Demokratike Kavajë Hysen Kadiu ka uruar sot të gjithë bashkëqytetarët Festën e Vitit të ri. Përmes një mesazhi në Facebook, kritikon qeverinë për paketën e ndihmës së fundvitit duke e konsideruar si tallje me qytetarët dhe hallet e tyre. Kreu i PD kritikon edhe Bashkinë e Kavajës që sipas tij për të mbuluar rritjen e Lartë të çmimeve që ka shkaktuar banda e Rilindjes po i mëshiron qytetarët duke u dhënë gjela deti për t’u marrë votën ndërsa çmimet janë në stratosferë.

Mesazhi i Plotë

Të dashur miq, sot është dita e fundit e Vitit. Një vit që po lejmë pas, ndër më të vështirët që kemi kaluar. Që nga situata problematike ekonomike, shëndetsore, deri tek lajmet me luftra që kanë shpërthyer në Evropë, por që kanë kërcënuar edhe Paqen në rajon, ku krajlët luftënxitës të serbisë provokojnë në Veri të Kosovës.

Pra të dashur miq, kemi kaluar në Vit tejet të vështirë, ku mbi të gjitha kriza ekonomike dhe hiperinflacioni i skajshëm ka goditur portofolet e familjeve si kurrë më parë. Megjithatë ja ku jemi, ja kemi kaluar bashkë pa ndihmën e askujt. Por në këtë sipërmarrje dinjitoze të familjeve shqiptarë për ti bërë ballë vështirësive, nuk mungon asesi tallja e “Rilindjes”, përqeshja e saj me hallet tona.

Nga lajmet ku sakrifikohet një pulë e zezë në Bashkinë e Lushnjes, në mëshirën e dhurimit të gjelave të detit nga Bashkia Kavajë. Mesa duket “Rilindja” me emisarët e saj kryebashkiakë së fundmi e ka kapur me shpendët. Qytetarët e Kavajës ja kanë dalur vetë të përballen me një Vit të vështirë, një gjel deti në fund të vitit është një turp që shpreh as më pak e as më shumë, por mentalitetin e të babëziturve. Ata ju konsiderojnë si njerëz që jeni ende tek ushqimi, mjafton një gjel deti një ditë, ndërsa 364 ditë të tjera të pangopur, si personazhe të mjeruara që bërtasin për bukë e kripë.

Mentaliteti tyre është një popull i uritur, që ka ngelur tek mielli dhe mishi me racione si gjeli i detit një herë në vit. Janë në vazhdën e etërve të tyre që shpërndanin tollona dhe bënin thirrje për të ngrënë bar.

Miq unë ju uroj një Vit të mbarë, qoft plot të mira dhe begati! Njëherë e mirë të shkëputemi nga mentaliteti i të mjerit dhe tallja e të babëziturve.

Qoft ky Vit i Ri për ju e familjet tuaja më i lehtë, më i paqtë e plot suksese!

Gëzuar!