PD Festoi 32- vjetorin, Kandidati për Bashkinë Fisnik Qosja: “Rilindja” sekt i fëlliqur, vetëm të bashkuar e shporrim nga Kavaja më 14 Maj!
Fjala e Plotë
Fjala ime me rastin e 32 vjetorit të themelimit të Degës së Partisë Demokratike në Kavajë:
Mirëmbrëma të gjithëve!
Të dashur demokrate dhe demokratë,
Anëtare dhe anëtarë të Partisë Demokratike,
I nderuar lideri historik i dhe kryetar i Partisë Domokratike Profesor Doktor Sali Berisha,
Miq dhe të ftuar,
Zonja dhe zotërinj,
Mirë se keni ardhur,
Gëzuar të gjithëve këtë 32 vjetor të themelimit të Degës së Partisë Demokratike në Kavajë!
Kremtojmë në këtë dhjetor, 32 vite nga fillimi i epokës së re të lirisë dhe demokracisë në jetën e vendit.
Zhvillime me rëndësi kombëtare, të cilat përfaqësojnë një ndër kapitujt më të lavdishëm te qytetit tonë dhe burim krenarie për çdo kavajas, të çdo kahu politik dje dhe sot, pasi pikërisht nga këtu me manifestimin dhe ngjarjet në stadiumin e qytetit në vitin 1990, ku për herë të parë u dëgjua kumpti i lirisë dhe demokracisë, ngjarje e cila kurdisi orën e Rilindjes Demokratike të Shqipërisë pas dekadash të gjata të terrorit dhe izolimit komunist, një ngjarje me jehonë dhe rrezatim të rrallë në hapësirën dhe në kohën shqiptare.
Festojmë sot me gëzim dhe krenari të ligjshme, me nderim dhe mirenjohje te thellë për çdo Kavajas që mori pjesë në atë manifestim i cili shërbeu si prelud për ngjarjet pasardhëse në Shqipëri në vitin 1990,
për themeluesit dhe firmëtarët e parë, për vazhduesit ndër vite, për të rinjtë dhe të rejat, për çdo ekzistencë në familjen tonë politike gjatë ketyre 32 viteve.
Sonte është gjithashtu një moment kujtese për të gjithë ata demokratë që nuk janë më mes nesh, por kanë lënë të gdhendur përgjithnjë emrin dhe veprën e tyre në librin e artë të Partisë Demokratike dhe Degës Kavajë, në memorialin solid të demokracisë shqiptare.
Ata janë krenaria dhe frymëzimi ynë dhe do t’i kujtojmë gjithmonë, në çdo përvjetor, në çdo hap të ecjes sonë përpara.
Mirënjohje dhe përulje për kontributin e gjithësecilit prej tyre.
Të nderuar miq,
Rrallë ndodh që historia e një forcë politike të startojë në një orë dhe në një hap me historinë e re të vendit sic ndodhi në vitin 1990 dhe akoma më e rrallë është kur kjo përsëritet për herë të dytë.
Kështu ka ndodhur me rithemelimin e partisë tonë e cila përkon me një fillim të ri të historisë politike të vendit, me një qasje dhe një mendësi të re, ku zëri i qytetarit, zëri i anëtarit qëndron në zemër të vendimarrjes politike.
Ky zhvillim i ri kulmoi me primaret e sapombyllura si një kërkesë e drejtpërdrejtë e të gjithë demokratëve dhe jam i bindur edhe si një kërkesë e te gjithë shoqërisë.
Kjo është risia më kuptimplotë në historinë politike shqiptare të paktën këto 20 vitet e fundit.
Pluralizmi politik, liria, demokracia, mirëqënia, ëndrra europiane janë të gjitha ngjarje që kanë një emërues të përbashkët, Partia Demokratike e Shqipërisë.
Kjo është një histori thjesht e mrekullueshme, që ndriçon atë se nga vijmë dhe ku duam të shkojmë dhe që na bën akoma më të vetëdijshëm për përgjegjësinë për sfidat e reja, që duhet të na gjejnë në këmbë, mëngëpërveshur, protagonistë, të kthjellët, të vendosur dhe fitues. Kjo është detyra jonë!
Të nderuar demokratë dhe demokrate,
Unë jam njëri prej jush, mbështetës dhe anëtar i Partisë Demokratike prej një jete. Si një i djathtë në
gen, jam mbështetur gjithnjë në ato vlera që përfaqësojnë boshtin e përkatësisë tonë ideologjike e që janë dinjiteti, përgjegjësia individuale, familja dhe tradita, morali dhe respekti ndaj tjetrit, si dhe shenjtëria e ligjit dhe shërbimit ndaj interesit publik.
Pikërisht në emër te këtyre parimeve dhe principeve që sot duhet të mbrohen më shumë se kurrë, duke e konsideruar si një përgjegjësi morale si dhe i nxitur nga propozimi i shumë miqve të mi, anëtarëve të Partisë Demokratike, intelektualë të qytetit tonë, profesionistëve të ndryshëm, njerëzve aktiv në biznes dhe në politikën lokale, kryetarë seksionesh dhe grup seksionesh, vendosa të kandidoj në Primaret e PD, Dega Kavajë, me bindjen se do isha fituesi i kësaj gare.
Dua të falenderoj nga zemra, patjetër të gjithë ata votues që më besuan. U jam përjetësisht mirënjohës. I falenderoj po njëlloj dhe votuesit e rivalit tim, të cilët janë gjithashtu shpirti dhe zemra e Partisë Demokratike.
Unë kam bindjen se do të mund të rimarrim Bashkinë vetëm me përfshirjen e cdo anëtari dhe simpatizanti të Partisë Demokratike që nga themelimi i Degës Kavajë. E kam thënë dhe e rithem se detyra ime gjatë këtyre muajve të fushatës do të jetë para së gjithash t’i jap zë të harruarve, të padëgjuarve, çdo personi, çdo historie, çdo të riu dhe të reje, çdo simpatizanti, çdo ekzistencë në familjen tonë politike në mënyrë që të respektohet, brenda mundësive tona, çdo kontribut.
Kjo është e vetmja rrugë për të arritur fitoren.
Me këtë rast, dëshiroj të falenderoj publikisht zotin Isa Sakja, të nderuarin Isa Sakja.
Ai është njëri prej nesh, demokrat i orëve të para, kontributor dhe burrë i sakrificave të mëdha, i sprovuar në beteja dhe sfida të shumta, në opozitë dhe në qeveri, i cili i ka dhënë shumë Partisë tonë dhe këtij qyteti.
I shpreh mirënjohjen time dhe e ftoj të jetë në krahun tim në betëjën ndaj kandidatit të socialistëve.
Dua ta them fort dhe qartë: kundërshtari jonë i vetëm është sekti i fëlliqur i Rilindjes dhe Edi Rama!
Miq të nderuar,
Shërbimin ndaj Kavajës, si vendin ku kam shpirtin dhe ku kam zemrën, e konsideroj nje përgjegjësi morale; përgjegjësi e lindur mbi principin e fisnikërisë dhe krenarisë tonë shekullore dhe që shkon përtej interesave të ngushta personale.
Vij para jush me formimin tim të gjerë në Drejtësi, me një karrierë të gjatë dhe të suksesshme profesionale si në sektorin privat ashtu dhe publik, ç’ka përbën një garanci për një administrim të suksesshëm të Bashkisë Kavajë dhe për ta nxjerrë atë nga situata e turpshme ku e ka çuar babëzia dhe banaliteti i administratës socialiste.
Dua t’i shërbej me përulësi banorëve të mrekullueshëm të Kavajës Njësive Administrative Golem, Synej, Luz i Vogël dhe Helmas dhe do të jem gjithashtu zëri i qindra mijëra emigrantëve Kavajas, kudo që ndodhen jashtë vendit.
Shumë shpejt do vij me programin tim politik për Bashkinë Kavajë, ku krahas përgjigjeve konkrete ndaj problemeve dhe sfidave në raport me menaxhimin efiçient të Bashkisë Kavajë, zhvillimin urban, infrastrukturën, turizmin, ekonominë, nxitjen e punësimit, përballjen me dramën e ikjes së të rinjve, arsimin, memorien e qytetit etj, do të sjellim dhe risinë e demokracisë direkte për çështje qëndrore të bashkisë në koherencë me parimin tashmë të rrënjosur në Partinë Demokratike, qytetari në qendër të vendimarrjes politike.
Motra dhe vëllezër,
Me vetëdijen se mund të shërbej, mund të ndihmoj qytetin tim, ku kam lindur, ku kam familjen e ku po rris dhe djalin tim…marr përgjegjësinë para jush për fitoren e thellë të Bashkisë Kavajë, si një shpagim ndaj asaj ç’ka ndodhi në zgjedhjet e e vitit 2019 dhe me premtimin për korigjimin e çdo padrejtësie ndaj demokratëve të Kavajës dhe se të gjithë bashkë do të rikthejmë shpresën për një të ardhme më të mire për veten, për fëmijët tanë, për ëndrrat tona.
Fitorja e thellë e Bashkisë Kavajë është premtimi im solemn para jush.
Edhe një herë gezuar 32 vjetorin themelimit të degës tonë.
Mirënjohje për të gjithë.
Rroftë Partia Demokratike
Zoti e bekoftë Kavajën, Zoti e bekoftë çdo kavajas.
Fitore, Fitore, Fitore