Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka zbuluar dy kandidaturat për zgjedhjet e pjesshme lokale, konkretisht për Vorën dhe Rrogozhinën. Dy kandidaturat do të jenë Blerim Shere për Vorën dhe Edison Memolla për Rrogozhinën. Sipas Veliajt, këto janë dy qytete që presin të transformohen nga Partia Socialiste.
“Kemi pasur një diskutim, që zgjati rreth një orë për të finalizuar dy kandidaturat në qarkun e Tiranës. Janë dy bashki jo të vogla. Duam që Vora të thellojë rezultatin në favor të Partisë Socialiste. Kemi disa kantiere në Vorë siç është edhe ajo e rindërtimit. Kemi pafundësi projektesh që do të transformojnë qytetin sidomos me rindërtimin. Rrogozhina ka një kontribut të veçantë dhe ne do të vazhdojmë me Edison Memollën, i cili ka vijuar si një shërues i atij komuniteti sidomos me çështjen e rindërtimit. Ne presim të kemi një rezultat më të mirë si për Vorën dhe Rrogozhinën. Kemi pasur një diskutim më të madh për Vorën dhe duam që fokusi të jetë më i madh në Vorë. Ia kemi besuar një psikologu një mësuesi si Blerim Shera. E sigurt është që ajo që do të bëjmë në këto zgjedhje është që ne do t’i botojmë listat”, u shpreh Veliaj pas mbledhjes së kryesisë së PS.