“Konsumi i karburanteve rritet, sasia e importuar bie”, deputeti i PD: Nafta u fut kontrabandë ose kanë shitur rezervat me çmime më të larta

Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula me anë të një postimi në Facebook ka deklaruar se në vend është rritur konsumi i hidrokarbureve por nga ana tjetër ka rënë sasia e importuar.

Sipas tij ky është një absurditet pasi Ministria e Financave thotë se në të njëjtën periudhë kur konsumohet më shumë naftë, në shqipëri importohet më pak.

Ai shtoi se një gjë e tillë është e palogjikshme dhe se ka dy shpjegime për të, ose furnizuesit kanë ruajtur rezerva dhe e kanë shitur me çmim më të lartë duke nxjerrë më shumë fitim e duke holluar xhepat e shqiptarëve, ose tregtarët i japin shqiptarëve naftë kontrabandë, ku të dyja rastet sipas tij janë të patolerueshme.

POSTIMI I PLOTË

🔴Çudi shqiptare, rritet konsumi i hidrokarbureve por bie sasia e importuar⛽️.

Nuk kanë fund absurditetet në Shqipëri. Rritet konsumi i karburantit por Ministria e Financave thotë se në të njëjtën periudhë kur konsumohet më shumë naftë, në shqipëri importohet më pak.

Sipas INSTAT në grupin “Tregti hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve është rritur me 3,9 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2021. Në të kundërt, të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se për të njëjtën periudhë (Korrik-Gusht) importet e karburanteve ranë me gati 10%, duke zbritur në 159 mijë ton, nga 176 mijë ton në verën e 2021.
Është e e palogjikshme një gjë e tillë.

Tani ose furnizuesit kanë ruajtur rezerva dhe e kanë shitur me çmim më të lartë duke nxjerrë më shumë fitim e duke holluar xhepat e shqiptarëve, ose tregtarët i japin shqiptarëve naftë kontrabandë.

Në të dyja rastet është e patolerushme dhe duhet të ndërhyjnë instancat përkatëse për të ndërprerë abuzimin me qytetarët. Vetëm në Shqipëri ndodh që në një kohë kur funksionojmë vetëm me naftë importi, rritet konsumi dhe ulet importi.