Argjentina kalon Kroacinë dhe shkon në finalen e Botërorit

Argjentina është finalistja e parë e Botërorit 2022. Skuadra e drejtuar nga Lionel Skaloni, e udhëhequr nga Mesi në një formë të jashtëzakonshme, ka mundur me shifrat 3-0 Kroacinë dhe pret tashmë të mësojë se kë do t’i rezervojë sfida tjetër si kundërshtar në finalen e 18 dhjetorit.  

Në një ndeshje që nisi me ritëm të ulët dhe me kroatët në kontroll, Argjentina përfitoi nga gabimi i parë në qendër të mbrojtjes së ballkanasve duke fituar penallti me Alvarez. Mesi shënoi  nga pika e bardhë dhe ia bëri shumë më të thjeshtë skuadrës së tij vijimin e ndeshjes pasi detyroi Kroacinë të sulmonte dhe e goditi me kundërsulme. Kështu erdhi goli i dytë, me protagonist Alvarez i cili këtë herë çoi vetë topin në rrjetë.

Kroatët nuk ia dolën të reagonin në pjesën e dytë të ndeshjes, edhe pse Daliç bëri disa zëvendësime në rreshtimin e të tijve. Nga një tjetër aksion i krijuar nga Mesi erdhi edhe goli i tretë, përsëri me protagonist Alvarez, duke i vendosur vulën kualifikimit të skuadrës amerikano-latinë në finale, ku kthehet pas 8 vitesh.

ARGJENTINË-KROACI 3-0
34′ (p) Mesi, 39′, 69′ Alvarez