Zgjedhjet e 6 Marsit/ Celibashi: Partitë do marrin fonde, i takon Kuvendit të bëjë shpërndarjen


Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi se sot ka nisur procesi i asgjësimit të të dhënave personale të mbetura në pajisjet e identifikimit që nga zgjedhjet e 25 prillit.

Në një prononcim për mediat, ai shprehet se të dhënat do të kalojnë në serverat e KQZ-së, ku sipas tij, janë të sigurta dhe nuk mund të përvetësohen nga palë të treta.

Celibashi deklaron se ky proces do të përfundojë brenda 1 jave ose 10 ditësh, për të qenë në gatishmëri për zgjedhjet e pjesshme vendore.

“Procesi i identifikimit elektronik është mjaft i rëndësishëm dhe jam i sigurt që ka interesin e gjithsecilit që lidhet me këtë proces, por mbi të gjitha të vetë votuesve të cilët e kanë të qartë që bëhet fjalë për të dhëna që janë ata zotëruesit e tyre dhe askush nuk do donte të përdoreshin përtej parashikimit të ligjit. Ne sot fillojmë me procesin e asgjësimit të të dhënave që gjenden në pajisjet e identifikimit të zgjedhësve. Do të nisë ky proces. Nga pajisjet ne i kemi hedhur në serverin përkatës të KQz-së. Do e përfundojmë sa më shpejt të jetë e mundur, maksimumi 1 javë ose 10 ditë. Ky proces do jetë i sigurt, kemi marrë masat. Ka interes për këdo që natyra e këtyre të dhënave dhe si janë përfituar nga procesi i identifikimit, e bëjnë gati të pamundur nga ana praktike, që të mos ketë asnjë përvetësim të këtyre të dhënave. Nëse këto të dhëna nëse do t’i përfitonte dikush, ato janë të palexueshme.

Celibashi deklaroi se partitë politike do të marrin fonde, dhe tashmë i ngelet Kuvendi që të përcaktojë vlerën dhe mënyrën e shpërndarjes.

“Patjetër do të marrin fonde. Kemi bërë procedurat. Ngelet Kuvendit që t’i përcaktojë fondin, vlerën dhe modalitetet e shpërndarjes së këtij fondi. Natyrshëm që ne kemi kërkesat tona, besoj që brenda këtyre dy tre ditëve do ta finalizojmë”,  tha Celibashi.

Marrë nga Gazeta Panorama