Kelment Baçi/Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e përfaqësuesit të Presidentit Ilir Meta për dorëheqjen e trupës së gjyqtareve. Gjykata konstatoi se asnjë gjyqtar nuk parashtroi kërkesë për dorëheqje.
Pas 11 orësh diskutime, debate dhe argumente ligjore, Gjykata prano kërkesën e Presidentit për shtyrje të seancës, të cilën e shprehu përfaqësuesi i kreut të shtetit me argumentin për t’u njohur me përgjigjet në formë shkresore nga Kuvendi. Kushtetuesja u vu në lëvizje pas kërkesës së Kuvendit, i cili pas miratimit të raportit të komisionit hetimor, kërkoi shkarkimin e kreut të shtetit për shkelje të rënda të Kushtetutës. Më 9 qershor, me 104 vota pro, Kuvendi i Legjislaturës së kaluar vendosi shkarkimin e Presidentit, ndërsa tani duhet një vendim kushtetues që Meta të shkarkohet.
Përpara trupës me shtatë anëtarë të Gjykatës, përfaqësuesit e Kuvendit dhe të Presidentit mbrojtën qëndrimet e tyre të shprehura përgjatë gjithë kësaj kohe. Përfaqësuesit e maxhorancës, Taulant Balla dhe Klotilda Bushka, deklaruan se Presidenti duhet të shkarkohet për shkelje të rënda të Kushtetutës, duke mos qëndruar mbi palët para dhe gjatë fushatës, duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve me deklarata dhe thirrje të forta dhe duke cenuar marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Presidentit, Bledar Dervishi dhe Katrin Treska, deklaruan pretendimet e tyre mbi anëtarët e Kushtetueses, legjitimitetin e Kuvendit dhe rrëzimin e çështjes.
PYETJET
Por ajo që u vu re gjatë këtyre 11 orëve përgjatë të cilave u mbajt seanca me disa ndërprerje ishte edhe numri i lartë i pyetjeve (rreth 70 pyetje), që anëtarët e Kushtetueses u drejtuan përfaqësuesve të Kuvendit. Vetëm relatori i çështjes, Përparim Kalo, pasi bërë parashtrimin e të gjithë hapave të padisë ndaj Presidentit, ngriti plot 30 pyetje ndaj maxhorancës, ku pjesa më e madhe kishte natyre procedurale. Kalo kërkoi sqarime mbi një sërë çështjesh, që nga ngritja e komisionit hetimor parlamentar për shkarkimin e kreut të shtetit, e deri te pretendimi i maxhorancës për përfshirjen e Metës në veprimtari zgjedhore gjatë 25 prillit. “Pse konsiderohet veprimtari zgjedhore angazhimi i Presidentit? A mund ta sqaroni bazën ligjore mbi të cilën është ngritur komisioni hetimor? A janë respektuar afatet dhe rregulloret për përcaktimin e seancës për shkarkimin e Presidentit? A është verifikuar dhe provuar ardhja e pasojave të akteve të Presidentit në drejtim të parimit të unitetit të popullit, prishjes së ekuilibrit politik, qetësisë publike, nxitjes së urrejtjes dhe dhunës, vënies në rrezik të jetës së njerëzve, ndërhyrjes dhe shantazhit ndaj institucioneve publike, cenimit të imazhit dhe reputacionit të vendit dhe marrëdhënieve me partnerët tanë strategjikë?
Cilat janë pasoja konkrete që kanë sjellë qëndrimet e Presidentit në veprimtarinë e institucioneve kushtetuese? Cili ka qenë qëllimi i përdorimit të njëjësit në raport? Në zbatimin e dispozitave kushtetuese, ligjvënësi shfaqet edhe si interpretuesi i parë i shkeljes, por a janë përdorur metoda të tjera për t’i evidentuar këto shkelje? Cilat janë interesat e Presidentit?”, janë disa nga pyetjet e Kalos. Por, kryetarja e Kushtetueses, Vitore Tusha, pati vetëm një pyetje: “Cili do të ishte qëndrimi i Kuvendit në qoftë se vendimmarrjen për shkarkimin e Presidentit do ta kishte marrë një maxhorancë tjetër, në funksion të kushtetutshmërisë, ndarjes së pushtetit, shtetit të së drejtës apo do të kishit një qëndrim të ndryshëm? Po nisem nga fakti që ka një prapsim të Presidentit ku thuhet se ky proces është iniciuar politikisht kundër tij, për ta kufizuar atë në rolin dhe pozitën e tij në ushtrimin e kompetencave kushtetuese”.
PYETJET DREJTUAR KUVENDIT
PËRPARIM KALO
Pse konsiderohet veprimtari zgjedhore angazhimi i Presidentit? A është verifikuar dhe provuar ardhja e pasojave të akteve të Presidentit në drejtim të parimit të unitetit të
popullit, prishjes së ekuilibrit politik, qetësisë publike, nxitjes së urrejtjes dhe dhunës, vënies në rrezik të jetës së njerëzve, ndërhyrjes dhe shantazhit ndaj institucioneve publike, cenimit të imazhit dhe reputacionit të vendit dhe marrëdhënieve me partnerët tanë strategjikë?
A mund ta sqaroni bazën ligjore mbi të cilën është ngritur komisioni hetimor?
A është e detyrueshme prania e Presidentit në procedurat
përkatëse, në Komisionin e Ligjeve, atë hetimor dhe
seancën plenare?
A mund të shtyhej afati për të mundësuar dëgjimin e Presidentit?
A janë respektuar afatet dhe rregulloret për përcaktimin e
seancës për shkarkimin e Presidentit?
Cili ka qenë qëllimi i përdorimit të njëjësit në raport?
Në zbatimin e dispozitave kushtetuese, ligjvënësi shfaqet edhe si interpretuesi i parë i shkeljes, por a janë përdorur metoda të tjera për t’i evidentuar këto shkelje? Cilat janë interesat e Presidentit?
VITORE TUSHA:
Cili do të ishte qëndrimi i Kuvendit në qoftë se vendimmarrjen për shkarkimin e Presidentit do ta kishte marrë një maxhorancë tjetër, në funksion të kushtetutshmërisë, ndarjes së pushtetit, shtetit të së drejtës apo do të kishit një qëndrim të ndryshëm?
Marrë nga Gazeta Panorama