Zgjedhjet në FSHF, flet Demollari: Futbolli na ka bërë krenar, politika të heq dorë nga presionet

Ndikimi politik në zgjedhjet e FSHF është i pastër dhe vetë kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, kërkon të vendos fatin e tyre. Një figurë e shquar e futbollit shqiptar, Sulejman Demollari, në një intervistë të dhënë së fundmi, ka dhënë mendimin e tij për gjithçka ndodh në këto kohë.

Si i shikoni zhvillimet e fundit në futbollin shqiptar, tani përpara zgjedhjeve për organet drejtuese të Federatës?

“Duket si një situatë e tensionuar dhe e ndezuar në mënyrë artificiale. E njëjta gjë që ndodh sa herë ka zgjedhje dhe sa herë politika kërkon të ndërhyjë dhe të ndikojë në vendimet e komunitetit të futbollit. E keqja është që po tentohet që kjo ndërhyrje të bëhet legjitime dhe të duket si një veprim i drejtë. Kurrsesi nuk mund të jetë kështu. Askush veç njerëzve të futbollit, nuk ka të drejtën që të marrë vendimet, që i takojnë këtij komuniteti,” u shpreh Demollari për “Sport Express”.

Pse gjithë ky presion?

“Të them të vërtetën me sa kam unë dijeni, presion ka patur jo vetëm në Tiranë. Kam folur me miq dhe shokë të mi në Korçë, në Fier, në Elbasan dhe në Gjirokastër dhe më kanë konfirmuar se anëtarët e Asambleve të këtyre rajoneve janë kërcënuar nga kryetarë bashkish, madje edhe nga ministra të kësaj qeverie. Është e qartë që skenari i Tiranës, ku vetë kryetari i Bashkisë ka marrë flamurin për të shkatërruar procesin zgjedhor dhe vepron në mënyrë arbitrare, po përsëritet në çdo rajon të Shqipërisë. Kjo sigurisht, që nuk është rastësore. Përkundrazi, është një skenar politik, i cili mund të flaës vetëm me një gjuhë: Atë të presionit. Deklarata për pushtimin e ishullit të vetëm që s’kanë vënë nën kontroll, nuk mund të justifikohen me përralla për “diskutime çunash në dhomat e zhveshjesh”. Përkundrazi ato tregojnë qartë se ka një strategji të mirëmenduar për të përdorur çdo formë që të trembin njerëzit e futbollit. “Pasi të shpartallojmë Tiranën do të ikim qytet më qytet”- ka thënë Veliaj dhe kështu ka vepruar.

Kam një jetë që qëndroj në dhomat e zhveshjesh por asnjëherë as unë dhe as shokët e mi, nuk kemi folur për “nxirrje jete me prokurori dhe SPAK” apo aktivizim agjencish inteligjente. Por Kryetari i Bashkisë së Tiranës që i “shkau gau”, kërkon thjesht, të justifikohet për fjalorin që përdori.”

A është normale kjo situatë, për ju, njerëzit e futbollit?

“Nuk është hera e parë. Jo më gjatë por katër vjet më parë, në garën për President u përfshi Sekretari Organizativ i partisë në pushtet, i ndjeri z. Fino. Politika ka qenë gjithmonë e pranishme me trysninë e saj. Por përse duhet harxhuar kaq shumë energji, të ndërtohen struktura për të presionuar futbollin dhe njerëzit e tij, ndërkohë që fare mirë mund të bëhej e kundërta. Politika ta ndihmojë futbollin, të bashkëpunojë me strukturat e tij. Shembuj pozitivë gjen dhe dihet që bashkëpunimi sjell gjithmonë fryte të mira. Ky futboll na ka bërë krenarë, na ka dhënë kënaqësi në ditët më të vështira të këtij vendi. M’u kujtuan tani kualifikueset e “Francë 2016”, paraqitja e shkëlqyer, qëndrimi profesional në Serbi dhe fitorja juridike në KAS-in e Lozanës. Dhe si “qershia mbi tortë”, paraqitja në Francë. Nuk besoj, se ka patur ndonjëherë nivel kaq të lartë të krenarisë kombëtare të shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit, se sa gjatë asaj periudhe. Atëhere futbolli dhe Armand Duka ishin te mire, madje konsideroheshin si heronj por sapo afrohen zgjedhjet ata përbalten pa “mëshirë”, nga ata që vetëm para pak vjetësh nxitonin ti prisnin nëpër selitë e tyre, me tam tame dhe banda.”

Cili është mesazhi që do të jepte Demollari për këtë situatë?

“Politika duhet të heqë dorë urgjentisht nga presioni dhe ndërhyrjet në Federatën e Futbollit. Ajo duhet të kuptojë njëherë e mirë që pavarësia e institucionit dhe ushtrimi i të drejtës për të zgjedhur njerëzit e saj dhe zgjidhur problemet që ka, është një vlerë e komunitetit të futbollit. Një vlerë që nuk mund ta shpërfytyrojë asnjë politikan. Ne njerëzit e futbollit, besojmë tek fryma e Fair Play dhe politika nuk arrin ta kuptojë këtë, ndaj flet me gjuhën e saj, atë të presionit.”