Kryeministri Edi Rama ka bërë një reagim qesharak në lidhje shembjen e paligjshme të “Prestige Resort”. Një leje ndërtimi që Rama e ka firmosur dhe vulosur vetë, ai e quan leje zhvillimi. Mesa duket, kryeministri nuk mban mend se çfarë ka firmosur.
Dokumentacioni i dispozuar, pra leja e ndërtimit që është firmosur nga vetë kryeministri dëshmon ligjshmërinë e resortit turistik.
“Një leje zhvillimi është njësoj me një leje ndërtimi sa ç’është një çertifikatë lindjeje baraz me një leje drejtimi!Të bësh viktimën e lirisë së medias pse t’u prish një pallat pa leje është njësoj si të bësh viktimën e dhunës policore pse s’të lënë ta ngasësh makinën pa patentë!”, shkruan Rama.
Por kryeministri duket se nuk e ka pasur mendjen kur ka firmosur dokumentin e Prestige Resort, i cili në kokë të vendimit thuhet shprehimisht “leje ndërtimi për objektin kompleks turistik Prestige Holiday Resort me vendndodhje në Golem, Bashkia Kavajë”.
Në statusin e kryeministrit Rama kanë reaguar një numër i madh qytetarësh, të cilët kanë dalë kundër aksionit të sotëm të IKMT-së.
“Ku ishte shteti kur po bëhej shkelja e ndërtohej hoteli”, shkruan një komentues.
Ndërkohë që një tjetër ndjekës i faqes së kryeministrit shkruan “një leje me gojë është e barabartë me një leje me shkrim. Në çdo vend të botës kontrata me gojë njihet barabar me atë me shkrim…”.