“Peshqit e Mëdhenj”/ Nga legjenda tek realiteti. Kush e ka radhën pas Saimir Tahirit?

Drejtësia e re ka arritur tek pushtetarë, deputetë, ministra dhe drejtues institucionesh të niveleve më të larta që duke qenë në majën e piramidës shtetërore për vite me radhë janë konsideruar të paprekshëm.

Që nga dënimi i Adriatik Llallës, arrestimi i ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, e deri tek burgosja e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri janë kokat e para që po bien një nga një në rrjetën e ndëshkimit.

Në anën tjetër Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë sinjale të qarta përmes shpalljes non grata të emrave të njohur të politikës si Tom Doshi, Vangjush Dako, e deri te ish-Kryeministri Sali Berisha.

Por, le t’i kthehemi këtyre rasteve një nga një duke e nisur fillimisht me ‘peshqit e mëdhenj’ të politikës, sikurse do t’i cilësonte ish-Ambasadori amerikan, Donald Lu.

POLITIKANËT QË KANË PËRFUNDUAR PAS HEKURAVE:

Ish-Kryeprokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla:

Pas shpalljes së tij ‘non grata’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vitin e kaluar, Gjykata e Posaçme do të dënonte me 2 vite burg ish-Prokurorin, Adriatik Llalla për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”, të cilit iu hoq gjithashtu e drejta për 5 vjet nga ushtrimi i posteve publike, si dhe konfiskimin e disa pasurive. Gjithashtu u mor vendimi për konfiskimin e disa pronave të tij, përkatësisht: 4 sipërfaqe toke, gjithsej 22 mijë metra katrore dhe 1 apartament në Durrës.

Menjëherë pas këtij vendimi të Gjykatës, SPAK kërkoi arrestimin e Llallës. Forca të shumta policie do të mësynin në banesën e ish-kryeprokurorit, por nuk do ta gjenin atë aty, duke ngritur dyshimet se ishte arratisur nga vendi. Pak ditë më vonë do të dilnin disa foto nga jashtë vendit e Llallës me valixhe në dorë në një stacion treni dhe që prej asaj dite, ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Lokalizimi i vendndodhjes së Adriatik Llallës do të bëhej i mundur në dhjetor të vitit të kaluar, në Itali, ku Llalla ka kërkuar azil politik.

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka:

‘Viktima’ e radhës e SPAK do të ishte ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i akuzuar për aferën disa milion euroshe të Inceneratorëve. SPAK njoftoi se ndaj Kokës do të rëndonin akuzat për disa vepra penale në lidhje me hetimet për procedurën mbi kontratën e koncesionit për ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane dhe prodhimit të energjisë në Qarkun e Elbasanit. Koka akuzohet për veprat penale “shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” , kryer në bashkëpunim.

Dytë ditë pas arrestimit, Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (GJKKO) do të jepte masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, ndërsa ky i fundit do tas ankimonte këtë masë sigurie, duke kërkuar lirimin në Apel. Kujtojmë se për këtë aferë janë shpallur në kërkim edhe Klodian Zoto e Stela Gugalli.

Ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri:

I fundit në listën e ‘peshqëve të mëdhenj’ të politikës, të cilët përfunduan prapa hekurave, ishte ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili u dënua ditën e djeshme me 5 vjet heqje lirie, nga të cilat do të bëjë vetëm 3 vite e 4 muaj, për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar la në fuqi vendimin e shkallës parë për Tahirin, i cili vuajtjen e dënimit duhet ta nisë menjëherë në një burg të sigurisë së zakonshme, i cili do të jetë burgu “313” në Tiranë. Ish-ministrit Tahirit i lejohet të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë, 45 ditë nga dhënia e këtij vendimi.

Sipas gjykatës, Tahiri me veprimet dhe mos veprimet e tij ka ndikuar në përhapjen e fenomenit të kultivimit të kanabisit. Ai akuzohej për veprën penale “Shpërdorim të Detyrës”. Gjyqtari tha se Tahiri ka përfituar favore nga grupi i Habilaj, dhurata, udhëtime me jahte, siç ka këmbëngulur SPAK, e cila kishte kërkuar 12 vite burg për trafik droge dhe grup kriminal, por sipas gjykatës vetëm akuza e shpërdorimit të kanabisit qëndron. Po ashtu gjykata ka provuar komunikimin e Jaeld Çelës, i cili po ashtu u dënua me 3.4 vite burg,  me komunikimin e Florian Habilaj, pjesë e grupit kriminal Habilaj.

Ajo e djeshme, shënon fundin, e një çështje që u zvarrit prej pesë vjetësh në radhët e shumë gjykatave. Ndërsa, ndalesa në GJKKO, i dha fund fatit të Tahirit.

POLITIKANËT E SHPALLUR ‘NON GRATA’ NGA SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS:

Le të ndalemi tani tek ‘peshqit e mëdhenj’ të politikës shqiptare, të cilët janë shpallur ‘non grata’ në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I pari që do ta kishte ‘nderin’ për tu shpallur si i tillë do të ishte ish-Kryeprokurori Adriatik Llalla.

Ish-deputeti dhe kreu i PSD, Tom Doshi:

Deputeti shqiptar Tom Doshi do të bëhej zyrtari i dytë i lartë shqiptar pas ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla që u shpall i padëshirueshëm në Shtetet e Bashkuara bashkë me familjen e tij. Doshi i Partisë Socialdemokrate u shpall më 16 prill 2018 person i padëshirueshëm bashkë me familjen e tij nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Doshi, 52 vjeç, biznesmen dhe politikan me eksperiencë të gjatë si deputet i tre partive politike të ndryshme, u shpall i padëshirueshëm për shkak të “angazhimit të tij në korrupsion domethënës”.

Sipas deklaratës, “Departamenti e shpalli publikisht” z. Doshi si të padëshirueshëm dhe të palejuar për të hyrë në territorin e Shteteve të Bashkuara.

Doshi ishte deputet i Partisë Socialiste në vitet 2009 dhe 2013 ndërsa u përjashtua nga Partia Socialiste në vitin 2015 me duartrokitje nga ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, pasi akuzoi publikisht Ilir Metën, aktualisht President i Republikës, për një komplot vrasjeje ndaj tij. Pavarësisht përjashtimit nga socialistët, Doshi arriti të rizgjidhet deputet në vitin 2017 nën siglën e Partisë SocialDemokrate në qarkun e Shkodrës.

Ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako:

Në 30 korrik të vitit 2019 do të vinte ‘block-u’ i radhës nga DASH për një figurë të lartë politike në Shqipëri, e këtë herë do të ishte radha e ish-Kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, një nga njerëzit më të besuar të Kryeministrit Edi Rama.

Në njoftimin e DASH asokohe thuhej se arsyeja e kësaj mase është përfshirja e tij në raste të mëdha korrupsioni.

Vangush Dako u bë kështu zyrtari i tretë nga Shqipëria që ndalohet të hyjë në Shtetet e Bashkuara së bashku me familjen. Para tij, e njëtja masë është marrë ndaj ish Prokurorit të Përgjithshëm Adritaik Llalla dhe ish deputetit socialist Tom Doshi.

Ish-Kryeministri, Sali Berisha:

Në 19 maj 2021 radhën do ta kishte ish-Kryeministri dhe ish-kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, të cilit i ndalohej pajisja me vizë për në Shtetet e Bashkuara, së bashku me familjen e tij, për shkak se ata janë përcaktuar nga DASH si persona që u ndalohet hyrja në vend.

Lajmi u konfirmua asokohe nga Sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale tha se ky vendim u mor nga Uashingtoni zyrtar “për akte korruptive që cenojnë demokracinë në Shqipëri”.

Përpos Berishës, DASH lajmëronte se janë shpallur non grata bashkëshortja e tij, Liri Berisha, djali i tij, Shkëlzen Berisha dhe vajza e tij Argita Berisha Malltezi.

SHKARKIMET NË RADHËT E POLITIKANËVE DHE FIGURAVE INSTITUCIONEVE TË TJERA DREJTUESE:

Përveç rasteve të burgosjes apo edhe të problemeve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, emra të njohur të politikës, por edhe të sportit, janë përfshirë në lupën e pushtetit aktual përmes gjykatave.

I referohemi këtu dy proceseve më të bujshme të kohëve të fundit, që janë pikërisht: Nisma e mazhorancës për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, por edhe ‘lufta e hapur’ që Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i ka hapur kreut të FSHF-së, Armand Duka, për t’ia hequr nga duart drejtimin disa-vjeçar të institucionit më të madh të futbollit në vendin tonë.

Nisma për shkarkimin e Presidentit, Ilir Meta:

Gjithçka nisi në 9 qershor të vitit të kaluar, kur mazhoranca socialiste ndërmorri një votim në Parlament për shkarkimin e Metës nga detyra, me pretendimin se ai ka shkelur Kushtetutën duke u angazhuar me politikë aktive në deklaratat e tij para zgjedhjeve të 25 prillit, krime këto të konsumuara, sipas tyre, në 19 intervista, 9 deklarata dhe 45 postime.

Nga 122 deputetë të pranishëm në atë seancë, 104 prej tyre votuan pro shkarkimit të Metës, votim në të cilin kontribuuan edhe një numër i madh nga të ashtuquajturit, deputetë të opozitës së re ndërsa shtatë vota ishin kundër.

Seanca e parë në drejtim të kreut të Shtetit do të zhvillohej në 1 shkurt të këtij viti, kur Gjykata Kushtetuese do të mblidhej për herë të parë për shkarkimin e Metës, seancë e cila zgjati rreth 9 orë, por pa asnjë vendimmarrje në fund, ndërsa Gjykata vendosi shtyrjen e seancës për në një datë tjetër, që do të ishte më 3 shkurt.

Por, edhe në seancën e 3 shkurtit, sërish nuk do dilte gjë në dritë, ndërsa palët vijonin me argumentet ndaj njëri – tjetrit, duke bërë që pas disa orësh diskutime e ndërprerje, seanca të shtyhej sërish për në datën 7 shkurt, pasi palët kërkuan kohë për leximin e pyetjeve dhe përgatitjen e përgjigjeve të Gjykatës.

Nisma për shkarkimin e kreut të FSHF, Armand Duka:

Një tjetër ‘luftë e hapur’ mes palëve po zhvillohet edhe për drejtimin e institucionit më të lartë futbollistik në vendin tonë, Federatën Shqiptare të Futbollit, ku kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe kreu i FSHF, Armand Duka kanë përfunduar deri në dyert e gjyqeve për t’i dhënë ‘dum’ përplasjeve mes tyre.

Gjithçka do të niste me një padi të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili do të kallëzonte penalisht Ilir Shulkun, Sekretarin e Përgjithshëm të FSHF dhe Adrian Haçin, Sekretar i Shoqatës së Futbollit të Tiranës. Padia kishte të bënte me zgjedhjet në Shoqatën Rajonale Tiranë,  ku kryetar u zgjodh Krenar Alimehmeti, vendim të cilin Veliaj e konsideroi ‘nul’.

Do të mjaftonte kjo shkëndijë që të plaste lufta e hapur Duka-Veliaj. FSHF do të publikonte pak ditë më pas një audio, nëpërmjet të cilës, sipas FSHF, vërtetohej ndërhyrja politike e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj në Asamblenë e Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë.

Në këtë takim, FSHF do të akuzonte kryebashkiakun Veliaj se i është drejtuar të pranishmëve me fraza shumë të rënda dhe fjalori prej një rrugaçi dhe një të forti lagjeje, madje në disa momente edhe si prokuror. Tanimë, Gjykata është ajo që do të vendosë se kush ka të drejtë e kush jo në këtë mesele.

KUSH DO TË JETË ‘PESHKU I MADH’ I RADHËS?

Mes gjithë këtyre ndodhive, arrestime, burgosje, shpallje ‘non grata’, apo edhe luftë në dyert e gjykatave, duket se ka nisur një cikël, që për hir të së vërtetës në vendin tonë, ka qenë i panjohur.

E në gjithë këtë situatë, pyetja që lind është: Cili do të jetë ‘peshku i madh’ i radhës që do të bjerë në rrjetën e drejtësisë? / Gazetashqiptare.al