SHBA e shpalli “non grata”, Vangjush Dako në krye të fushatës së PS-së

Valentina Madani/ Ish-kryebashkiaku Vangjush Dako përfshihet në fushatën elektorale të PS-së në Durrës, duke bërë fushatë për kandidaten socialiste Emirjana Sako.

Edhe pse është “non grata” nga SHBA, Vangjush Dako është përfshirë në fushatën e socialistëve, duke zhvilluar takime në Njësinë Administrative nr. 6.

Në fotot e siguruara nga “Panorama” Dako shfaqet në krye të fushatës së PS-së. Kujtojmë se Dako zgjodhi që të mos kandidonte për kryetar bashkie në zgjedhjet e 2019-ës, ku PSja thuajse nuk kishte asnjë parti tjetër politike përballë. Departamenti i Shtetit vendosi kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, në listën e personave që u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara së bashku me familjen. Në njoftimin zyrtar theksohet se arsyeja e kësaj mase drastike ndaj ish-kryebashkiakut të Durrësit është përfshirja e tij në raste të mëdha korrupsioni. Sipas ligjeve amerikane, kur Sekretari i Shtetit ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste të mëdha korrupsioni, ose shkelje të të drejtave të njeriut, atij dhe familjes së tij të ngushtë, i ndalohet hyrja në Amerikë.

Vangjush Dako, bëhet kështu zyrtari i tretë nga Shqipëria që ndalohet të hyjë në Shtetet e Bashkuara së bashku me familjen, i shpallur në mënyrë zyrtare nga ana e qeverisë së SHBAsë. Para tij, e njëjta masë është marrë ndaj ish-prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, dhe ish-deputetit socialist Tom Doshi. Por pas Dakos, “non grata” u shpall edhe ish-Kryeministri Sali Berisha dhe familja e tij.

HETIMI

Pas denoncimit të PD-së, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është drejtuar me një shkrese zyrtare Bashkisë së Durrësit ku kërkon informacione nga kryebashkiakja Emirjona Sako pas pretendimeve të ngritura nga PD-ja dhe LSI-ja në seancën publike të Komisionerit Shtetëror. Pretendimet kanë të bëjnë sipas Partisë Demokratike, me “dyshime se fondet e rindërtimit të aprovuara për 526 familje janë përdorur për qëllime elektorale dhe zgjedhore për shkak se po shpërndahen në prag të zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit”.

“A është marrë ky vendim nga ana e Bashkisë Durrës? Të na jepet një shpjegim në lidhje me procedurën që është ndjekur dhe nëse kjo procedurë vjen në kundërshtim me parashikimet e neneve 91 dhe 92 të Kodit Zgjedhor që ndalojnë nxjerrjen e akteve ligjore që kanë për qëllim të ofrojnë shpërblime për kategori të caktuara të qytetarëve”, thuhet në shkresën e KQZ-së. Pak ditë më parë, dega e PD-së në Durrës denoncoi se Bashkia Durrës po ndan fondet e rindërtimit për banorët në prag të zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit. Sipas PD-së, ka shumë familje që prej me shume se 2 vitesh nuk marrin bonusin e qirasë dhe nisi të ndahet tani në prag të zgjedhjeve për të vjedhur vota. “Ja pra, ujku qimen e ndërron, por zakonin nuk e harron. Vazhdon batërdia zgjedhore që në prag të shpalljes së datës së zgjedhjeve të pjesshme lokale. Pavarësisht rrethanave, situatave dhe raportit të OSBE/ ODIHR-it për masakrën zgjedhore të 25 prillit, partiashtet sapo nisi me mekanizmat e saj antikushtetuese për ndikim, tjetërsim apo dhe vjedhjen e votës së qytetarëve durrsakë. Pse pikërisht tani lëvrohen fonde për rindërtimin, ku ka familje që prej më shumë se 2 vitesh nuk marrin asgjë e janë në qiell të hapur?! Pse bonusi i qerasë, me 3 muaj prapambetje, nis të shpërndahet pikërisht tani në prag të zgjedhjeve? Qytetarët durrsakë ndihen të vjedhur e të prerë në besë nga premtimet tuaja boshe, por kurrsesi nuk mund t’i fyeni inteligjencën asnjërit prej tyre. Shpërblimi me qëllim vjedhjen e votës dënohet me ligj. Nuk do jetë e largët dita kur kjo të ndodhe”, denoncoi PD-ja./ Panorama.al