“Tragjedi” në Katar, Botërori humbet Gjermaninë, Japonia mund Spanjën. Plasin polemikat

Konfirmohet edhe një herë se ky është Botërori i surprizave, pasi Gjermania dështon që në fazën e grupeve dhe e mbyll këtu rrugëtimin. Një nga kombëtaret më të mëdha në botë zhgënjejnë totalisht dhe përfundojnë në vendin e 3-të me katër pikë, pavarësisht fitores 2-4 me Kosta Rikën.

Sfida u zhbllokua që në minutën e dhjetë. Panzerat kaluan në avantazh me Gnabryn, pas një goditje me kokë.Ekipi i Flick e kërkoi me ngulm golin e sigurisë brenda fraksionit, por pavarësisht përpjekjeve, nuk ia dolit dot.

Kur nuk shënon, e pëson. Ky është rregulli i pashkruar i futbollit. Në një aksion rrokambolesk, kostarikanët vendosin ekuilibrat me Tejeda.

Skuadrsa e Suarez do bënte çmendurinë dhe do përmbyste sfidën me Vargas, por gëzimi do zgjaste shumë pak, pasi Havertz do barazonte shifrat.

Po Havertz do tregonte klasin e tij në minutat e fundit, duke rikthyer avantazhin gjerman edhe një herë. Në fund të sfidës do kishte kohë edhe për Fullkrug, por më kot, pasi fundi i hidhur ishte vendosur tashmë.

JAPONI HISTORIKE

Natë magjike më Japoninë! Kombëtarja aziatike, arriti të kualifikohej nga grupet e Kupës së Botës duke lënë pas Gjermaninë dhe Ekuadorin.

Japonia është skuadra e tretë në historinë e Kupës së Botës që fiton dy ndeshje të ndryshme në një edicion të vetëm me përmbysje.

Si ndaj Gjermanisë edhe ndaj Spanjës, japonezët ishin në disavantazh në pjesën e parë, teksa në fragmentin e dytë të lojës arritën të triumfonin. Më herët këtë fakt interesant e kishin regjistruar Brazili në 1938 dhe Gjermania në 1970.

SPANJA

Humbja ndaj Japonisë nuk rezultoi fatale për Spanjën, por gjithsesi, ka acaruar tejmase trajnerin e iberikëve, Luis Enrique. Tekniku i njohur, siç raportojnë mediat, ka vendosur që të mbyllë skuadrën në dhomat e zhveshjes.

Tonet kanë qenë mjaft të ngritura në drejtim të lojtarëve, pasi për “timonierin” e njohur ekipi tregoi mungesë serioziteti. Spanja ia doli të kualifikohej si e dyta në grup dhe në fazën tjetër do të përballet me skuadrën e Marokut. Pavarësisht ulje-ngritjeve, kjo kombëtare mbetet pretendente për Botërorin.

POLEMIKAT

Japonia ia doli të fitojë 2-1 ndaj Spanjës, duke siguruar kualifikimin dhe duke lënë jashtë Gjermaninë. Gjithsesi, si në çdo grup të zjarrtë, nuk munguan polemikat. Goli i dytë i skuadrës së Moriaysu ka pushtuar të gjitha rrjetet sociale, pasi goli u anulua për shkak të topit që kishte dalë jashtë vijave kufizuese. Gjithsesi, VAR-i tha fjalën e vet, duke kthyer mbrapsht vendimin.

Falë këtij goli, ishte Japonia që festoi në fund kualifikimin, ndërkohë që Panzerat kanë pretendimet e tyre për këto pamje, pasi në një situatë tjetër, gjërat mund të ishin ndryshe për ta.