KELMENT BAÇI/ Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka deklaruar se e sheh të pamundur që zgjedhjet për kreu e FSHF-së të mbahen më 2 mars, duke u shprehur edhe njëherë se nuk do të tërhiqet nga beteja, të cilën e ai e cilëson si beteja për “fair play”.
Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në “News 24”, Veliaj u shpreh se zgjedhje me parregullsi dhe shkeljet si ato në FSHF janë të papranueshme. Sipas tij, vizita dhe mesazhet e Presidentit të UEFA-s, Aleksandër Ceferin, janë një sinjal se FSHF duhet të mbajë zgjedhje transparente dhe të drejta, teksa edhe shefi i futbollit europian i ka caktuar vetes jo më shumë se 3 mandate. Për kryebashkiakun e Tiranës, fakti që UEFA do të sjellë në Tiranë një mision për të parë të gjithë parregullsitë e procesit, tregon vlerën e betejës së tij me kreun e FSHF-së. “Ceferin ka dhënë vetë shembullin model. Ai e ka caktuar vetë se Presidenti i UEFA-s nuk mund të këtë më shumë se 3 mandate. Pra, po ke për të dhënë diçka, nëse nuk i jep në 12 vjet, nuk ke më çfarë jep. Për këtë arsye, do të doja që modeli i tij të ndiqej edhe këtu. Fakti që këta thonë ‘jo, unë dua herën e 6-të’, kur Ceferin ia ka vënë kufirin vetes deri në 3 herë, do të thotë se ata nuk kanë respekt për Ceferin. Ata thjesht duan ta përdorin dhe më vjen mirë që ai nuk u përdor. Zgjedhjet në FSHF duhen shtyrë deri në premtimin e Ceferin për të sjellë në Tiranë një ekip të UEFA-s, që adreson të gjitha falsifikimet, të mbarojë punë dhe të pyesin: ‘Pse nuk e botoni listën e delegateve?’; ‘kush voton?’; ‘pse janë njerëz që nuk kanë lidhje me sportin?’; ‘pse hiqni internetin e nuk lejoni njerëzit të komunikojnë?’; ‘pse nuk është media aty, që ta pyesë atë lavazhierin: ‘O shok, ti je nga Shijaku, çfarë do këtu në zgjedhjet e Tiranës?’; “ti tjetri, që je roje te pularia, për çfarë je këtu?’; “ti që je kushëriri i tij, për çfarë vjen këtu?’.
Fakti që sot, për herë të parë, kemi një angazhim publik për të sjellë vëzhgues nga UEFA qe t’i shohin të gjitha këto problematika, do të thotë se beteja ia paska vlejtur, se po të mos kishim bërë këtë betejë, vëzhguesit nuk do të vinin. E shoh shumë të pamundur që të ketë zgjedhje në 2 mars, sidomos pasi Ceferin tha se ‘fillimisht do të sjell një mision për të parë të gjithë parregullsitë’. Kështu që, nuk ka pse të nxitojë askush të bëjë zgjedhje, kur në fakt u arrit një marrëveshje që ne të kalojmë fillimisht pak kohë për të parë parregullsitë dhe t’i rikthehemi një procesi ligjor vetëm pasi ato të jenë sqaruar. Shumë vetë më pyesin: ‘Pse ti?’. Po kush? A mund të përballet me këta një prind që ia heqin fëmijën nga grupi? Po një trajneri që i heqin licencën? Po një ekipi – se e kanë provuar edhe ekipet- dhe i kanë zbritur dy kategori më poshtë? Pra, duhet ta bëjë dikush që nuk ka asgjë për të humbur. Unë çfarë kam për të humbur? Unë nuk luaj futboll, djali im nuk e ka mbushur moshën të luajë, ekipi që përfaqësoj është më i miri sot në kampionat. Unë nuk po kandidoj vetë, as po ju them kë të votojmë, thjesht po ju kërkoj ‘fair play’”, tha Veliaj.
PËRPLASJA ME ARMAND DUKËN
Kryetari i Bashkisë së Tiranës u shpreh se Armand Duka nuk është armiku i tij, por shtoi se ai duhet të japë dorëheqjen deri në sqarimin e transparencës së procesit. Veliaj u shpreh se Duka po përdor një ndeshje futbolli për shantazh për t’u zgjedhur në mënyrë të padrejtë, ku historia e kontrollit të sportit nga 1 përqindëshi është fyese dhe duhet të përfundojë. “Armand Duka nuk është armiku im. S’kam asgjë personale me të, por jam përfaqësues i 34% të aksioneve të Klubit të Tiranës, i cili po përgatitet të fitojë kampionatin e radhës.
Bashkia e Tiranës tashmë ka hequr mënjanë 150 mijë euro si premio, siç bëri vjet, sepse cilido nga ekipet e kryeqytetit qe fiton kampionatin, merr çmim. Bashkia e Tiranës i jep premion më të madhe në 100 vite kryeqytetit. Për të gjitha këto arsye, nuk kam asgjë personale, por të jesh pjesë e një koreografie të shëmtuar, e një valleje të hedhur keq, e një vendi ku vidhen zgjedhjet, është shumë e shëmtuar. Do të ishte në pjekurinë dhe burrërinë e Armand Dukës, nëse ka ende, që të tërhiqet vetë nga gara dhe të thotë se pa u sqaruar çështja e transparencës së procesit, nuk mund të shkohet në zgjedhje.
Si mund të ketë një ishull, si FSHF, që nuk e kontrollon askush? Këtu mundësitë janë dy: ose të sillet si njeri i pjekur, i rritur, i mençur dhe i matur dhe thotë: ‘Unë e kam çuar FSHF-në në zgrip dhe praktikisht po përdor si shantazh një ndeshje futbolli në Tiranë që të zgjidhem me padrejtësi’ dhe largohet vetë; ose shteti i së drejtës do të duhet të reagojë dhe t’i thotë: ‘Më fal, këtu ndodhi një faull dhe për këtë faull ka karton të kuq’. Pse duhet të shkojnë vetëm çunat dhe gocat e bandës së Shijakut në ‘Wembley’, në boksin VIP? Të jetë për mua, unë do ta dhuroj biletën time për finalen e UEFA Conference League.
Më mirë të shkojë një fëmijë i shtëpisë së fëmijës. Por, historia që vetëm 1% kontrollon gjithçka, është fyese! Kurse një prind, që ka harxhuar, jo një vit, po 10-15 vite, nga 20-30 mijë lekë çdo muaj, t’i thuash siç i the edhe Granit Xhakës, ‘po nuk më dhe 100 mijë euro, ti nuk luan me Kombëtaren’, kjo është të fyesh jo vetëm sakrificën e mijëra prindërve, por ndërpret ëndrra fëmijësh, që janë rritur duke shpresuar të bëhen si Mesi dhe Ronaldo, por në fakt përfundojnë si ‘pulat e Shijakut’”, tha Veliaj.