Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Iviça Daçiç ka thënë se Beogradi nuk do ta lejojë anëtarësimin e Prishtinës në Këshillin e Europës, pa luftë.
Një qëndrim ky i ashpër nga ana e ministrit serb, duke shtuar se çështja e anëtarësimit të Prishtinës shkatërron të gjitha parimet.
“Unë paralajmërova për kompleksitetin e çështjes së anëtarësimit të Prishtinës në Këshillin e Evropës dhe përmenda se anëtarësimi nuk do të kalojë pa luftë. Çështja e anëtarësimit të Prishtinës shkatërron të gjitha parimet që ne i përmbahemi kur bëhet fjalë për integritetin territorial të Ukrainës”, tha Daçiç.
Po ashtu ai vuri në pikëpyetje edhe qëllimin e forumeve ndërkombëtare, duke u shprehur se kuptimi i ekzistencës së OSBE-së, po humbet dalëngadalë.