Në fundjavë, Shkodra e Lezha u përmbytën si pasojë e hapjes së portave shkarkuese në Koman dhe Vaun e Dejës.
U desh vetëm një ditë reshje shiu që kaskada e Komanit dhe Vaut të Dejës ndonëse ishte trumbetuar për krizë, të mbusheshin menjëherë plot dhe të hapnin portat e shkarkimit, duke përmbytur dhjetëra shtëpi dhe mijëra hektarë tokë bujqësore. Në fakt, ajo që rezultoi ishte se përmbytjet erdhën për shkak të keqmenaxhimit. Në një kohë që ishin parashikuar reshje intensive institucionet shqiptare me në krye Ministrinë e Energjetikës kishin vendosur të blinin energji të shtrenjtë me një faturë 10 milionë euro në një javë dhe të mbanin dy kaskadat e përmendura më sipër në kuotat maksimale. Ndërkohë, kur reshjet nisën, në Shqipëri instancat u gjetën të papërgatitura dhe vendosën të bënin më të thjeshtën. Hapën portat shkarkuese duke përmbytur Nënshkodrën brenda 30 minutave.
ZËVENDËSKRYEMINISTRJA BALLUKU NË ATHINË
Në një kohë që banorët e Nënshkodrës të zhytur në ujë në temperaturat e ulëta nxitonin për të shpëtuar ç’të mundnin nga orenditë shtëpiake dhe ushqimin për bagëtitë, zëvendëskryeministrja, njëkohësisht ministrja e Energjetikës Belinda Balluku është fotografuar duke blerë veshje të shtrenjta në një nga dyqanet më luksoze të kryeqytetit grek në Athinë.
Ndonëse në Shqipëri shohim shpesh pushtetarët që nuk presin as në semaforë, por kalojnë me eskorta, në mediat online u shpërnda me shpejtësi një foto e numrit dy të qeverisë, në 21 nëntor teksa mbante radhën për të bërë pagesën në një prej dyqaneve të njohur ndërkombëtarë “Ralph Laurent” në kryeqytetin grek Athinë.
Siç duket edhe në fotografinë në krye të faqes në të djathtë, zëvendëskryeministrja duket e fokusuar te telefoni dhe pret për të paguar. Lajmin që qarkulloi edhe në media e konfirmoi vet zëvendëskryeministrja Balluku përmes një postimi në rrjete sociale. Më datë 21 dhe 22 nëntor ,ka publikuar vetëm foto të aksioneve të OSHEEsë dhe borëpastrueseve, ndërkohë që vetëm ditën e djeshme ka publikuar një njoftim se ka marrë pjesë në Athinë në Ministerialin e parë të Evropës Juglindore.
“Në Ministerialin e parë të Evropës Juglindore të zhvilluar në Athinë, me fokus te siguria energjetike, ku krahas vendeve të Ballkanit Perëndimor, në tryezë ishin edhe vende anëtare të BE-së si Italia, Greqia, Rumania dhe Bullgaria. Bashkëpunimi mes të gjitha vendeve mbetet një ndër faktorët kryesorë për përballimin e krizave, sigurisht krahas iniciativave dhe projekteve që shtojnë kapacitetet prodhuese. Në këtë pikë, Shqipëria po hedh hapa të rëndësishëm, të cilat do të kenë impakt në të gjithë rajonin. Skavica, porti i lundrueshëm me LNG dhe termocentrali në Vlorë, janë disa nga projektet për të cilat është avancuar ndjeshëm, duke pasur në krah partnerë të rëndësishëm”, shkruante Balluku në “Facebook”.