“Shqiptarë, po ju gënjejnë”, Dashnor Sula: KLSH nxori zbuluar qeverinë. Buxhetit të shtetit i janë vjedhur 47 miliardë lekë

Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula, u shpreh se auditi i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka nxjerrë zbuluar qeverinë dhe ka zbuluar se buxhetit të shtetit i janë vjedhur 47 miliardë lekë.

Në një postim në Facebook ai u shpreh se kur ministrat e mazhorancës të rrëzpojnë amendamentet e opozitës  për uljen e TVSH në seancën e nesërme, me pretendimin se nuk ka para, kjo është gënjeshtër.

POSTIMI I PLOTË

🔴Kur abuzon me 1 miliard euro në 9 muaj, s’mund të ketë rritje pensionesh,ulje TVSH per ushqimet e shportes dhe heqje TVSH-je për bujqësinë.
📍Të dashur qytetarë të zonës ku jam zgjedhur deputet por edhe në gjithë Shqipërisë! Nesër kur ministrat e qeverisë së SULLTANIT të rrëzojnë amendamentët e opozitës për uljen e TVSH për ushqimet e shportes dhe heqjen e TVSH per bujqësinë, rritjen e pensioneve me argumentin se nuk ka para, dijeni se po ju GËNJEJNË.
📍Kontrolli i Lartë i Shtetit, një institucion serioz shtetëror i ka nxjerrë zbuluar kësaj qeverie abuzimin e mbi 1 miliardë eurove vetëm në 9 muaj të këtij viti. Pra, janë mbi 1 miliardë euro që nuk kanë shkuar për investim ose nuk kanë shkuar në arkën e shtetit, por kanë përfunduar në xhepat e pushtetarëve të korruptuar.
📍Gjetjet e auditimit të KLSH për periudhën Janar-Shtator 2022 tregojnë edhe arsyen e vërtetë se përse Shqipëria ishte e fundit në rajon dhe Evropë për ndihmën që i dha qytetarëve dhe biznesit të ndershëm për përballimin e krizës ekonomike. Kjo qeveri nuk kishte lek për qytetarët sepse ato kanë shkuar në xhepat e 10 pushtetarëve të lidhur me klientët e tyre të ngushtë.
🔴Sipas KLSH, për periudhën Janar – Shtator 2022 janë zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare me pasojë dëm ekonomik në të ardhura dhe shpenzime në shumën totale prej 47 miliardë lekë. Për ta bërë më të thjeshtë: për shkak të tenderave sekret, tenderave pa garë tenderave me fond limit 99.9% dhe për shkak të atyre shpenzimeve të rreme si me rastin e inceneratorit, buxhetit të shtetit i janë vjedhur 47 miliardë lekë. Në këtë dëm, sipas KLSH peshën kryesore e mbajnë tatim-taksat me 45 miliardë lekë, tek Doganat 846 milionë lekë, në fushën e shitjes-blerjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore 421 milionë lekë.
Ndërkohë për të njëjtën periudhë është evidentuar shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e administrimit të të ardhurave, shpenzimeve dhe në përdorimin e fondeve publike në vlerën totale 74 miliardë lekë.