Skerdjan Dhuli: Reforma territoriale do kirurgji të thellë!

Nga: Skerdjan Dhuli 

PD ka nisur këto ditë hartimin e projekti dinjitoz në lidhje me reformën territoriale administrative e cila erdhi si pasojë e kërkesës së vazhdueshme të qytetarëve të cilët pas reformës Rama-Meta në 2014 e gjejnë veten më largë shërbimeve, me një hartë të re që ka kosto shumë më të rëndë në buxhetin e shtetit për shkak të rritjes gati dyfish të numrit të punonjësve në atë administratë anipse qëllimi ishte ulja e numrit të punonjësve kur kjo reformë e 2014 u hartua. 

Ndarja e re territoriale duhet të ketë disa kritere mbi të cilat duhen ndërtuar njësitë vendore. 

1. Ndarja në bashki qyteti dhe bashki fshati. 

Psh siç është sot bashkia Vau i Dejës, Finiq, Konispol, Selenicë, Himarë etj. 

Kjo do sjellë zvogëlimin e bashkive të mëdha si Elbasani, Durrësi, Fieri etj. 

2. Shkrirja e një numri të madh njësish administrative në ato zona ku është e mundur për shkak të afërsisë gjeografike dhe aksesit në shërbime. Kjo do sjellë uljen e shpenzimeve për të mbajtur në këmbë institucione të cilat janë jo efiçente në raport me nevojën që kanë qytetarët. 

3. Ndryshimi i qarqeve. P.sh Është jashtë çdo logjike që qendra e qarkut të jetë 175 km largë siç është sot largësia e Konispolit me Vlorën, apo Kruja në qarkun e Durrësit ndërkohë që Kavaja në qarkun e Tiranës. (Ky ndryshim duhet bërë edhe në kuadër të reformës zgjedhore e cila do eci paralel me atë territoriale)

Ndarja aktuale përveç se është për kalkulime politike të mazhorancës, kjo është edhe jashtë funksionit për shumë qytetarë në raport me shërbimin që ofrojnë institucionet lokale. 

Vetë termi “lokale” nënkupton shërbime sa më afër qytetarit. A ofrohen sot këto shërbime ? 

Jo. Në shumicën dërmuese jo. 

Prandaj zgjidhja është ndarja e fshatrave nga qytetet në ato raste ku është e mundur. 

P.sh ashtu siç u krijua Bashkia Selenicë, njëjtë mund dhe duhet të krijohet edhe Bashkia Novoselë në Vlorë e cila të mbledhë të gjitha njësitë administrative (ish komunat) rreth saj në afërsi gjeografike dhe ekonomike e kulturore. 

I njëjti standard duhet krijuar edhe në qarkun Lezhë, ku nuk mund të vazhdojë sërish që Bashkia Lezhë të jetë sa ish rrethi i dikurshëm ndërkohë ky standard nuk është zbatuar në shumicën e Shqipërisë. Nuk mundet dhe as nuk duhet të vazhdojë sepse shërbimi është i paaksesueshëm për qytetarët. 

Nuk mund të ketë qendër bashkie rreth 50 km largë. Është jashtë çdo logjike ekonomike për qytetarët dhe funksionaliteti në shërbimet e pushtetit lokal për vetë Bashkinë që fjala vjen fshatra të lumit të Vlorës të jenë pjesë e Bashkisë Himarë. Kjo mund të ketë interes politik për mazhorancën por kurrë për njerëzit. 

Me laps e letër duhet parë edhe qarku i Fierit. A mundet më Bashkia e Fierit të jetë aq e madhe, ndërkohë që vetë qyteti është i mjaftueshëm për ti marrë kohën dhe vëmendjen e rrjedhimisht edhe investimet drejtuesve lokalë ? Unë mendoj se jo. P.sh lehtësisht Levani mund dhe duhet të mbledhë në një njësi lokale të gjitha fshatrat rreth tij të cilat sot nuk e kanë aksesin dhe vëmendjen e nevojshme tek shërbimet që ofron pushteti lokal. 

Nuk dua ta kujtoj Shkodrën sesi e kanë gatuar, që është e vetmja njësi lokale në Europë që ka edhe bregdet edhe alpe. Bashki që fillon në Velipojë dhe përfundon në Shalë. Për shkak të natyrës ekonomike, kulturore, gjeografike etj, Shkodra duhet ndarë në bashki qyteti, bashki më vete fshatrat e mbi Shkodrës dhe më vete ato të nën Shkodrës. 

Dhe jo pa qëllim e lashë për në fund, Tiranën. 

Kjo Bashki duhet krasitur nga të gjitha anët. Është alogjike që të gjitha fshatrat e saj ti ngecen kryeqytetit kur ne e dimë fare mirë se nevoja e atyre banorëve nuk lidhet kurrkund me vendimarrjet e Bashkisë së Tiranës e cila firmos e vulos veç për leje kullash e pallatesh që ngrihen mbi kate milionash që sjell kokaina. I njëjti problem është me Paskuqanin. 

Nëse e mat me metra, nga qendra e Tiranës në Paskuqan nuk shkon më shumë se 2 km, ama krejt rastësisht Paskuqani na del në Bashkinë Kamëz ndërsa Zall Herri që është mbi Bathore, na del në Bashkinë Tiranë apo Shëngjergji që më lehtë del në Burrel e Klos, na del si pjesë e bashkisë Tiranë. Pse ? Për llogari politike. Kjo duhet zhbërë totalisht. Bashkia Tiranë duhet të marrë edhe reformimin më të madh dhe fshatrat rreth saj shumica duhet të kalojnë në Bashki ose Komuna më vete, natyrisht jo siç kanë qenë por siç është përdorur në rastin e Bashkisë Vau i Dejës, Finiq, Selenicë, Konispol etj. Pra bashki (ose komuna) vetëm me fshatra.