Sulmet e ish-kryeministrit/ Gazment Bardhi: Sali Berisha nuk thotë asnjë fjalë për Edi Ramën dhe kandidatët e tij


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi shkruan se ish-kryeministri Berisha me sulmet që po i bën selisë blu ai po demaskon veten e tij dhe se nuk i interesin fitorja e PD-së në zgjedhjet e 6 marsit. Sipas Bardhit, Berisha nuk lë gjë pa thënë për Partinë Demokratike, por nuk artikulon asnjë fjalë ndaj kryeministrit Rama dhe kandidatëve të tij.

Postimi i plotë:

Sali Berisha po demaskon veten dita ditës duke sulmuar vetëm Partinë Demokratike dhe demokratët. Asnjë fjalë për kandidatët e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 6 Marsit. Vetëm fyerje, sharje, shpifje dhe intimidim për kandidatët e Partisë Demokratike.

Betejën e ka me PD dhe demokratët, jo me regjimin e Edi Ramës. Këtë metodë ka futur edhe tek ato pak njerëz që i shkojnë nga pas në 6 bashkitë. Nuk i interesojnë demokratët, nuk u intereson fitorja e tyre, i intereson vetëm të furnizojë me “karburant” revolucionin e tij imagjinar bashkë me Ilir Metën kundër SHBA.

Çdo votë për “Shtëpinë e Ilirit” është votë kundër demokratëve, kundër PD, dhe votë që fuqizon pushtetin e Edi Ramës.