“Qindra fëmijë kanë kaluar dimra të ashpër në çadra”, PD: Bashkia e Durrësit kujtohet para zgjedhjeve lokale për familjet e prekura nga tërmeti!

Partia Demokratike, ka reaguar lidhur me miratimin e Bashkisë së Durrësit të një tjetër liste të familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019. Në deklaratën e saj sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD Jola Hysaj ka thënë se Bashkia është kujtuar pak para zgjedhjeve të radhës dhe se nuk ka dhembshuri njerëzore, por vetëm kalkulime elektorale.

Deklarata:

Në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 majit, Bashkia e Durrësit ka miratuar një tjetër listë të familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Kanë kaluar 3 vite nga tërmeti tragjik dhe ka ende shumë familje nën qiell të hapur. Qindra fëmijë kanë kaluar 3 dimra të ashpër në çadra, kontejnerë, te të afërmit apo me qera.

 

 

Bashkia e Durrësit kujtohet për ta pak para zgjedhjeve të radhës, sepse nuk ka dhembshuri njerëzore, por vetëm kalkulime elektorale.

Të premten, në mbledhjen e këshillit bashkiak, janë miratuar disa vendime në lidhje me procesin e rindërtimit dhe miratimin e familjeve që përfitojnë grante apo shtëpi individuale e apartamente.

Në këtë listë futen 3 familje, të cilat prej tre vitesh kanë qëndruar në çadra.

Bashkisë i janë dashur tre vite për të marrë këtë vendim, për t’i bërë me strehë.

Në tre vendime të tjera bëhet me dije se do të ndryshohet lista e emërore e përfituesve të granteve për të ndërtuar shtëpitë aty ku ishin, në të njëjtin truall, dhe familjet do të zhvendosen për të përfituar në programe të tjera. Programet në fjalë nuk janë specifikuar.

Që do të thotë se këto familje futen në një spirale të re pritjeje dhe ankthi.

Keto vendime të këshillit bashkiak dëshmojnë se si ky proces ka dështuar duke lënë banorët në mëshirë të fatit. Me këto vendime Bashkia e Durrësit pranon se grantet, shtëpitë individuale dhe subvencionimi i qirave janë ndihma që kanë mbetur në letër, pasi thesi hapet vetëm në prag të zgjedhjeve.

Njëlloj ka ndodhur edhe në zgjedhjet e kaluara, ku disa qytetarë kanë përfituar ndërsa të tjerë jo. Ky standard i shumëfishtë, në një qytet që u prek nga tërmeti tragjik i 26 nëntarit tregon babëzinë e pushtetit vendor të Durrësit.

Nga tërmeti rezulton se janë vlerësuar me DS5 349 objekte, ku bëjnë pjesë shtëpitë individuale dhe pallatet.

Partia Demokratike u bën thirrje organeve përgjëgjëse të hetojnë cdo abuzim, si me standardin e dyfishtë, si me vonesat, si me korrupsionin elektoral. Cdo thirrje për bashkinë Durrës që të mos luajë me jetën e qytetarëve, të tregojë dhembshuri për ata që presin një dimër tjetër në cadra, e dimë se është e kotë. Kanë kaluar tre vite dhe faktet tregojnë se shpenzimet spektakolare për fasada dhe abuzimet me të pamundurit janë mënyrë se si funksionon pushteti qendror dhe vendor i Edi Ramës. Partia Demokratike u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë të gjitha abuzimet që po bëhen ndaj tyre dhe të ngrenë zërin për të siguruar të drejtat e tyre.

Derën tonë e keni të hapur dhe mbështetjen tonë të pa kushtëzuar.