Skandali, ARRSH 20 mln euro punime shtesë në funksion të rrugës së Arbërit. Koncesionari Gjoka çlirohet nga kostot e sistemimit të skarpateve!

Rruga e Arbrit vazhdon të gllabërojë fonde publike përmes tenderëve të dyshimtë të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Projekti i cili është dhënë me një kontratë koncensionare PPP nga kompania “Gjoka Konstruksion”, deri tani është parashikuar të kushtojë 311 euro milion. ARRSH e drejtuar nga Evis Berberi, i besuari i ministres Belinda Balluku, ka shtuar dy tenderë të tjerë me vlerë gati 20 milion euro për rivitalizimin e skarpateve të faqeve te malit në gjurmën ku kalon rruga.

Me pak fjalë Autoriteti Rrugor Shqiptar ka menduar të çlirojë nga këto kosto koncesionarin “Gjoka Konstruksion”, duke kontraktuar punime shtesë jashtë kontratës së koncesionit.

Por nuk mbaron këtu pasi edhe vetë dy tenderët e ARRSH-së nuk kanë shkuar të ofertat më të leverdishme. Në garën për kontratën për sistemimin e skarpateve për në Shkallën Tujanit fitues është shpallur bashkimi i operatorëve Ante-Group” & “FERRO BETON & CONSTRUCTION CO” & “BILGIN TAAHHUT INSAAT MADENCILIK SANAYI VE TICARET LTD”, me një ofertë prej 1,11 miliardë lekësh ose 9,5 milion euro, ndërkohë që është skualifikuar oferta më e mirë prej rreth 1 miliardë lekë ose 9 milion euro dhënë nga një bashkim tjetër operatorësh “BE – IS SH.P.K” + “CURRI” + “ERGI”.

 

E njëjta skemë edhe me tenderin për sistemimin e skarpateve në Plani i Bardhë, ku fituese është shpallur oferta prej 1,146,500,000 lekë, ose rreth 9,7 milion euro dhënë nga bashkimi i operatorëve “SELAMI” SHPK + “COMPANY RIVIERA 2008” + “GARDEN LINE”, ndërkohë që bashkimi i tjetër operatorëve CURRI” + “BE – IS SH.P.K” + ERGI, pati ofruar afro 1,095,480,000 lekë ose 9,3 milion euro. Diferenca është 500 mijë euro në tenderin parë dhe 400 mijë euro në tenderin e dytë.

 

Kështu përveç koncesionit 311 milion euro, taksapaguesit duhet të paguajnë edhe 20 milion euro në dy tenderë abuzivë. Ndërtimi i rrugës ndërkohë nuk ka shkuar sipas parashikimeve dhe është funksionale pjesërisht, dhe inaugurimi i saj është shtyrë disa herë. Deri në mesin e këtij viti qeveria kishte financuar rreth 27% të investimit, ndërsa koncesionari është nën presion për të përfunduar sa më parë tunelin e Murrizit, që është dhe pjesa e rrugës ku ka pasur probleme të projektimit dhe punimet janë zvarritur.