Në kuadër të programit rajonal të zhvillimit në Shqipëri qeveria austriake dhe ajo zvicerane kanë mbështetur financiarisht rikonstruksionin e Pallatit të Kulturës Kavajë “Aleksandër Moisiu” duke e shndërruar atë në një kinoteatër po me të njëjtin emër. Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë ambasadori austriak Christian Steiner, ish-presidenti Alfred Moisiu, kreu i prefekturës së Tiranës Afrim Qendro, Kryetari i qarkut Tiranë, Aldrin Dalipi dhe kryetari i bashkisë z. Redjan Krali si dhe klerikët fetare të qytetit.
Ambasadori Steiner tha se kishte zgjedh pikërisht Kavajën për lidhjet e forta dhe të hershme kulturore që Shqipëria ka me Austrinë, siç e dimë aktori i madh me famë botërore Aleksandër Moisiu, i lindur në Kavajë ka debutuar në skenat e mëdha të Vjenës me një performancë të papërsëritshme. Lidhur me këtë ish-presidenti i Republikës Alfred Moisiu pasardhës i Aleksandër Moisiut, tha se bota e vlerëson shumë atë se vërtetë ka qenë një artist i madh, jo vetëm pse është i joni, por se kjo është e vërtetë.
Ish-presidenti shprehu rezerva për kohën e humbur mbi ndërtimin e shtëpisë muze aty ku aktori i madh lindi. “Në mënyrë të veçantë qeveria jonë, Ministria e Kulturës duhet të kujdeset që të bëhet muzeumi, të bëhet një muze për Aleksandër Moisiun, këtu në qytetin e Kavajës sepse në fakt origjina e Moisive është në Kavajë. Burimin e kanë këtu në Kavajë, shpresojmë që ta arrijmë këtë punë. Unë disa herë e kam kritikuar qeverinë shqiptare për këtë punë, por me sa duket kanë qenë shumë të zënë dhe nuk e kanë pasur mendjen për këto gjëra, shpresoj që në të ardhmen ta realizojmë këtë punë”, deklaroi Moisiu.
Edhe kryetari i bashkisë Kavajë z. Redjan Krali nuk e fshehu kënaqësinë për rikonstruksionin e ndërtesës. Ndërsa ambasadori Kristian Steiner tha se lidhjet e forta kulturore ndërmjet dy shteteve do të vijojnë dhe në të ardhmen.
Ambasadori gjithashtu tha se salla e kinemasë është gati për popullin kavajas dhe për funksionin e plotë të teatrit ka akoma vend për investim.
Kryetari i qarkut Tiranë, Aldrin Dalipi vlerësoi vlerat kulturore të qytetit të Kavajës dhe tha se ky qytet kishte nevojë për një institucion të këtij niveli. Gjithashtu z. Dalipi premtoi se së shpejti do të paraqitej projekti për ndërtimin e shtëpisë muze për aktorin e madh Aleksandër Moisiu.