Kombëtarja shqiptare ka udhëtuar dje drejt Spanjës në kuadër të takimit miqësor me Katarin, që do të luhet në orën 18:30 në Marbella.
Pas mbërritjes dhe akomodimit në hotel, në orën 17:00 kuqezinjtë kanë zhvilluar seancën e fundit stërvitore në drejtimin e trajnerit Edi Reja.
Në këtë seancë kanë marrë pjesë të gjithë lojtarët, teksa edhe mesfushori Ardit Deliu, i cili pati shqetësime muskulore në ditën e parë, është stërvitur rregullisht me grupin.
Për më shumë se një orë tekniku Reja ka provuar vendosje të ndryshme taktike në fushë, duke testuar të gjithë lojtarët e ftuar për këtë miqësore.
Atmosfera është shumë pozitive dhe skuadra beson në një paraqitje të mirë ndaj Katarit, që është vendi pritës i Botërorit dhe do të marrë pjesë në finalet e kompeticionit më të rëndësishëm në planet.
Kjo do të jetë miqësorja e parë e muajit nëntor nga tri të programuara, teksa më 16 nëntor Shqipëria luan ndaj Italisë dhe më 19 nëntor ndaj Armenisë, me të dyja sfidat që do të luhen në stadiumin “Air Albania” të Tiranës.
FORMACIONI: Me një grup, ku vetëm Kristal Abazaj dhe Arlis Shala vijnë nga jashtë, lojtarët e tjerë janë nga kampionati shqiptar, trajneri Reja ka projektuar edhe titullarët që do të hidhen në fushë sot ndaj Katarit.
Në portë pritet që në formacion të jetë Arlis Shala, portieri që luan për Drenicën në Kosovë.
Ndërkohë besnik i skemës 3- 5-2, italiani mendohet të rreshtojë në mbrojtje Andi Hadrojin nga e djathta, në qendër Gurishta i Vllaznisë, Janku i Bylisit dhe Turkaj i Laçit, teksa krahun e majtë do ta mbulojë Esin Hakaj.
Mesfusha pritet të formohet me Serxho Ujkën e Laçit, Sherif Kallakun e Tiranës dhe Arinaldo Rrapajn e Partizanit.
Në sulm Reja mund t’i besojë dyshes së Partizanit, Kavajasit Tedi Cara dhe Xhuliano Skuka.
Gjithsesi në momentin e fundit mund të ketë edhe ndryshime sa i përket formacionit, që do të sfidojë Katarin në orën 18:30.