Përfundon pas më shumë se 13 orësh, seanca maratonë e Komisionit Hetimor për Inceneratorët!


Komisioni Hetimor për Inceneratorët ka mbyllur seancën maratonë në orët e para të mëngjesit të sotëm. Mbledhja intensive ku dëshmuan një sërë zyrtarësh publik ka zgjatur për më shumë se 13 orë, ku përveç diskutimeve teknike lidhur me inceneratorët, nuk kanë munguar edhe debatet.

Mes zyrtarëve që dëshmuan ishin kryebashkiakia e Durrësit, Emirjana Sako, ish-Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku, kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi dhe zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.

Seanca ka nisur me një debat mes përfaqësueses së mazhorancës Ermonela Felajt dhe kryetares së komisionit Jorida Tabaku, pasi kjo e fundit u takua me kreun e SPAK, Arben Krajën përpara nisjes së seancës. Felaj deklaroi se ky takim ishte në shkelje të rregullores, ndaj për këtë, mazhoranca vendosi ta padisë në SPAK.

Dëshmitarja e parë e thirrur në komision ishte ish-anëtarja e Komisionit të Prokurimit për inceneratorin e Tiranës, Valbona Ballgjini e cila deklaroi se është pyetur nga SPAK dhe nuk mund të japë detaje për shkak të sekretit hetimor. Pas Ballgjinit, si dëshmitare ka ardhur kryebashkiakia e Durrësit, Emirjana Sako. Shumë prej pyetjeve, kryebashkiakia ka deklaruar se përgjigjen do e marrin më 6 mars. Kryetarja e Komisionit Hetimor Jorida Tabaku theksoi se ka dokumente që faktojnë se nga viti 2018, është bërë gjithçka me presion të shtuar që Bashkia Durrës që t’i depozitonte mbetjet në Inceneratorin e Tiranës. Për këtë, Sako deklaroi se nuk preferon të komentojë punën e kryebashkiakëve paraardhës.

Sako vendosi që të lërë seancën e komisionit përgjysmë. Më pas ka dëshmuar ish-Ministri socialist i Financave, Shkëlqim Cani i cili tha se kanë kërkuar të dhëna për firmën që do të investonte dhe nëse i përmbushte kapacitete financiare për të kryer investimin në inceneratorin e Elbasanit. Cani tha se në funksionin e ministrit të Financave, kanë  refuzuar miratimin për projektin e Elbasanit.

Më pas, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku e cila u shpreh se shumica e pyetjeve në komision ishin politike. Opozita ka hedhur akuza me aferën korruptive të inceneratorëve, siç ata e kanë quajtur është bërë një dëm shtetit për 430 mln euro. Kjo shifër sipas ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku është e pakuptueshme se si është dalë në këtë përfundim, prandaj kërkoi sqarime në Komision.

Kreu i Bashkisë së Fierit, Armand Subashi ka dëshmuar në Komisionin Hetimor lidhur me inceneratorët. Ai ka bërë me dije se ka pasur kontrakte me Klodian Zoton, person sot i shpallur në kërkim për inceneratorët në SPAK por vetëm në kuadrin e punëve teknike për impiantin.

I fundit për të dëshmuar në Komisionin Hetimor ishte zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj. Ai ka deklaruar se nuk ka asnjë lloj raporti me 3 personat e shpallur në kërkim për inceneratorët, Stela Gugallja, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri. Ndër të tjera, Ahmetaj deklaroi se Ministria e Financave nuk është kontraktor duke thënë se koncesioni i Tiranës është një koncesion i pastër, i cili nuk ka marrë asnjëherë mbështetje buxhetore.