Deputeti i PD: Rinia po ikën, në Rrogozhinë ceremonitë e dasmave janë zëvendësuar me ato mortore

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula shkruan se në tre vitet e fundit numri i vdekjeve është më i lartë se ai i lindjeve, duke bërë që rritja natyrore të jetë negative. Ai sjell shembullin e Rrogozhinës ku vetëm në vitin 2020 ka pasur 21 vdekje më shumë se sa lindje.

Sula akuzon kryeministrin se me politikat e tij po i detyron shqiptarët të lënë vendin.

Nuk ka asnjë dyshim që Edi Rama me “mashat” të emëruar në krye të pushtetit lokal ka vështirësuar jetën e shqiptareve.

Por lajmet janë edhe më të zymta në Bashkinë Rrogozhinë. Popullsia në këtë bashki është duke u shuar me ritme të shpejta.

Fenomeni i shpopullimit, emigrimit masiv të qytetarëve sigurisht ka prekur edhe Rrogozhinën. Por tragjedia nuk përfundon këtu.

Shifrat zyrtare të bashkisë tregojnë se nga viti në vit balanca mes lindjeve dhe vdekjeve është prishur.

Nga viti 2017 deri në në vitin 2020, në Rrogozhinë numri i vdekjeve ka qenë më i madh se numri i lindjeve.

Në vitin 2017: 159 lindje,   171 vdekje

Në vitin 2018: 148 lindje,   186 vdekje

Në vitin 2019: 149 lindje,   175 vdekje

Në vitin 2020: 152 lindje,   173 vdekje

Panorama është shumë e qartë. Partia Socialiste dhe përfaqësuesit e saj po ndjekin politika anti kombëtare. Të emëruarit e Ramës po zbatojnë politikat anti kombëtare. Rezultati po shihet sesi nga viti në vit shqiptarët jo vetëm po largohen nga vendi por edhe ata që kanë mbetur nuk kanë shpresë të krijojnë familje këtu.

Numri i nxënësve po ulet çdo vit e më shumë, madhe edhe dita ditës sepse vazhdimisht ikin familje nga Shqipëria.

Më vjen keq që e them, por fakt është që cermonitë e dasmave janë zëvendësuar nga ceremonitë mortore. Zymtësia ka kapluar të gjithë territorin e Bashkisë Rrogozhinë!

Më 6 Mars banorët e Rrogozhinës duhet të tregojnë virtytet e tyre se dinë të reagojnë ndaj padrejtësive dhe më pas, mbas 1 viti në të gjithë bashkitë ti japin goditjen më të fortë politikave anti kombëtare që po asimilojnë shqiptarët.