EurActiv ‘gozhdon’ Ramën: Tani po shqetësohesh për largimin e trurit?


Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka ngritur shqetësimin e largimit të trurit nga Shqipëria gjatë fjalimit të mbajtur në samitin e Komunitetit Politik Europian. Ai tha se rajoni po humbet në mënyrë të trishtueshme mendjet më të mira.

Deklarata e tij vjen në kohën kur qindra-mijëra shqiptarë janë larguar nën qeverisjen e tij, mes tyre disa prej mendjeve më të shkolluara.

Rama tha se vendet e varfra si Shqipëria do vazhdojnë të financojnë shkollimin për mjekë dhe infermiere, që më pas do të ‘gëlltiten’ nga vendet e pasura në BE, pa i dhënë Shqipërisë asgjë në këmbim.

Por portali i Brukselit, EurActiv, shkruan se është e çuditshme që Edi Rama po shqetësohet tani për largimin e trurit, sidomos për ikjen e mjekëve dhe infermierëve, pasi në të kaluarën e ka minimizuar efektin e kësaj drame të madhe.

Portali madje risjell në vëmendje faktin që Edi Rama ka deklaruar disa herë se gjithkush është i lirë të lëvizë dhe të punojë ku të dojë. Sipas tij, Shqipëria nuk po vuan nga kjo.

Gjatë një ceremonie për diplomimin e studentëve të mjekësisë, ai tha se pretendimet e opozitës se mjekët dhe infermierët po largohen masivisht nga vendi janë false.

“Nuk ka mungesa të mjekëve në Shqipëri. Shumëkush po dëgjon në lajme se thonë se nuk ka mjekë dhe infermiere, se kanë ikur. Sot janë mbi 1500 infermiere në listën e pritjes për punësim. Ne nuk e kemi këtë problem”, tha Rama.