Zbardhen argumentet që bindën gjykatën të lironte nga qelia ish-deputetin e PS Alqi Bllako, SPAK paralajmëroi ankimim


Zbardhen argumentet e dhëna nga mbrojtja e ish -deputetit të Partisë Socialiste, Alqi Bllako, që bindën gjykatën të vendoste lirimin nga burgu të tij dhe caktimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie”.

Avokati Sokol Hazizaj ka argumentuar para gjykatës se është ezauruar i gjithë procesi hetimor dhe se ish-deputeti i PS Alqi Bllako për shkak të largimit nga funksioni si deputet nuk ka asnjë mundësi të prishë provat, t’i shmanget hetimit apo të ndikojë në procesin hetimor ndaj tij, raporton News24.

Avokati po ashtu ka theksuar se gjendja e familjes së tij është e rënduar.

Bllako është baba i dy fëmijëve, njëri 2 vjeç dhe tjetri 7 vjeç, dhe se pas arrestimit të tij ata nuk kanë patur përkujdesjen e nevojshme, pasi nëna është e punësuar dhe lëviz nëpër rrethe.

SPAK

Prokuroria e Posaçme SPAK nuk është dakord me vendimin e Gjykatës që e liroi nga qelia ish deputetin e PS, Alqi Bllako, të enjten e 6 tetorit.

SPAK është shprehur për Euronews Albania se nuk ekzistojnë kushtet për ta liruar.

Prokuroria Speciale tha se do ta ankimojë vendimin e sotëm në Gjykatën e Posaçme të Apelit.

Gjate seances sot, SPAK kerkoi rrezimin e kerkeses se bere prej Bllakos si te pabazuar ne ligj e ne prova.

GJKKO e pranoi kërkesën e Bllakos për zëvendësimin e masës së sigurisë, nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.

Alqi Bllako akuzohet nga prokuroria se ka falsifikuar dokumentin për llojin e tokës ku do të ndërtohej inceneratori i Fierit.

Ata ia kanë paraqitur qeverisë sikur ndërtesa e inceneratorit do të bëhej në tokë truall.

SPAK ka provuar se ajo është ndërtuar në tokë arë, vlera e së cilës është më e lirë. Ky falsifikim i ka sjellë buxhetit të shtetit një dëm prej rreth 140 mijë eurosh.