Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar kreun e qeverisë, Edi Ramën se zhvillon fluturime me aeroplan privat me shpenzime që shkojnë deri në 300 mijë euro.
Nga foltorja e Kuvendit, Berisha iu drejtua mazhorancës duke deklaruar se asnjë prej deputetëve nuk mund të takojë dot një qytetarë.
Berisha: Tashmë është bërë bajate dhe vulgare se nga kjo sallë, deputetët e pseudomazhorancës kanë vetëm dy tema kryesore, sëpari sulmin e opozitës, së dyti lavdërimet e qeverisë. Lavdërimet e një grupi njerëzish që nuk guxojnë të takojnë një qytetarë të vetëm. Lavdërimet e një grupi njerëzish që në çdo pozicion, në çdo ditë e çdo kohë vetëm vjedhin. Lavdërimin e një grupi njerëzish që janë bërë urrejtje kryesore e qytetarëve shqiptarë. Lavdërimin e një grupi njerëzish me në krye Edi Ramën që fluturon me një aeroplan me 150-300 mijë euro.
Në dallim nga të gjithë qeveritë e tjera në Europë, ndërtojnë 1 km rrugë në fushë 24 mln euro. 8 Herë më lartë se çmimin sepse ndajnë paratë me njëri-tjetrin. E kanë shndërruar administratën shtetërore, në një vend hajdutësh. Të papërgjegjshëm, të cilët vendosin format më të egra të rrjepjes dhe vjedhjes së qytetarëve shqiptarë.
Në këtë mënyrë kujtoni se përfaqësoni qytetarët. Unë jam i bindur, se edhe këtu kur flisni, nuk shoh të bëni një takim me qytetarët. Nuk keni dy tema. Sikur problemi i qytetarëve nuk janë vjedhjet e qeveritarëve por opozita që i denoncon ato. Ju po e shpërbëni dhe po e damkosni Parlamentin. Flisni për krizë energjitike. Shqipëria nuk ka asnjë kusht përveç vjedhjes për të qenë në krizë energjitike. Energjia elektrike që prodhohet në Shqipëri, nuk ka lidhje me luftën në Ukrainë.