Qeveria shqiptarë ka prezantuar sot sanksionet ndaj Rusisë, e cila prej disa ditësh ka pushtuar Ukrainën.
Në një linjë me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka tha se Shqipëria ka vendosur që të zbatojë disa masa për individë dhe subjekte ruse.
Po ashtu qeveria shqiptare i ka ndaluar udhëtimin në territorin tonë personave që janë listuar nga BE, që janë diplomatë dhe zyrtarë.
“Ju jemi bashkuar sanksioneve individuale për ngrirjen e aseteve te individëve që shkojnë që nga Presidentit rus, Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Federatës Ruse, të cilët mbështetën njohjen e menjëhershme nga ana e Rusisë të dy zonave të kontrolluara joqeveritare të Donjeckut dhe Luhanskut, si entitete të pavarura dhe anëtarët e Dumës Shtetërore Ruse, të cilët ratifikuan vendimin e qeverisë të Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Ndihmës së Ndërsjellë ndërmjet Federatës Ruse dhe këtyre dy entiteteve.
Në total, këto masa kufizuese do të zbatohen për 654 individë dhe 52 subjekte. Përveç kësaj, është vendosur edhe ndalimi i udhëtimit në territorin shqiptar për personat e listuar nga BE, ndërkohë që lidhur me politikën e vizave është në shqyrtim anulimi i politikave lehtësuese për lëvizjen e diplomatëve, zyrtarëve të tjerë rusë dhe njerëzit e biznesit”, tha Olta Xhaçka.
Po ashtu, qeveria shqiptare do te aplikoje edhe sanksionet ekonomike në financë, energji, transport dhe teknologji.
Në Sektorin e energjisë do të ndalohet shitja, furnizimi, transferimi ose eksportin në Rusi i mallrave dhe teknologjive specifike për rafinimin e naftës dhe do të vendosë kufizime në ofrimin e shërbimeve përkatëse.
“Në Sektorin e transportit do të ndalohet eksporti që mbulon mallrat dhe teknologjinë në industrinë e aviacionit dhe hapësirës, si dhe do të ketë një ndalim për ofrimin e shërbimeve të sigurimit dhe risigurimit dhe mirëmbajtjes në lidhje me ato mallra dhe teknologji. Do të ndalohet gjithashtu ofrimin e asistencës teknike dhe financiare përkatëse.
Në sektorin e teknologjisë do të vendosen kufizime të mëtejshme për eksportet e mallrave dhe teknologjisë me përdorim të dyfishtë, si dhe kufizime në eksportet e mallrave dhe teknologjisë së caktuar, të cilat mund të kontribuojnë në përmirësimin teknologjik të Rusisë në sektorin e saj të mbrojtjes dhe sigurisë. Kjo do të përfshijë produkte të tilla si gjysmëpërçuesit ose teknologjitë më të fundit”.