Kryeministri Edi Rama ka mohuar të ketë dijeni për vizitën e Tom Doshit në kryeministri, pak para mbledhjes së qeverisë.
“Nuk kam asnjë dijeni për këtë dje se kush hyn dhe kush del në këtë godinë nuk është fare detyra ime. Unë hyj nga diku dhe kam pjesën time të punës. Është detyra juaj të përgjoni kush hyn e kush del”, tha Rama, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pasi doli nga mbledhja e qeverisë.
Kujtojmë që Doshi u pa duke hyrë në kryeministri gjatë ditës së sotme.
Kur nuk janë mbushur ende 24 orë nga ndryshimet e drejtuesve politikë në disa qarqe, përfshi edhe Shkodrën si edhe kur sapo është hapur diskutimi mbi emrat e kandidatëve për bashkitë, në godinën e kryeministrisë ka hyrë një mik që përherë përbën lajm, Tom Doshi.
Gazetarët e kanë filmuar Doshin teksa dilte nga godina e Kryeministrisë, ndërkohë që Rama ndodhej ende në godinë përpara se të dilte dhe fliste për mediat.
Nuk dihet ende nëse Doshi ka takuar Ramën apo dikë tjetër brenda godinës së kryeministrisë, megjithatë duket theksuar se ai është një personazh me peshë të madhe politike në Shkodër dhe do t’i shkonte në zyrë të ngjashmëve apo personave me fuqi politike më të madhe se e tija.
Më herët Rama kishte deklaruar se që prej shpalljes së Doshit “Non Grata” na Departamenti i Shtetit ai i kishte shkëputur marrëdhëniet me të.
Kryesia e PS-së vendosi Elisa Spiropalin si drejtuese politike në qarkun e Shkodrës duke zëvendësuar Edona Bilalin. Në ditët në vijim pritet të diskutohen emrat e kandidatëve për bashkitë e vendit.