Kryedemokrati Lulzim Basha ka dhene pasditen e sotme doreheqjen nga drejtimi i PD. Vendimin ai e komunikoi këtë të hënë, ku deklaroi se po bën një hap pas, për t’i dhënë mundësi Partisë Demokratike të ringrihet pas krizës së rëndë ku është futur kjo parti.
Lulzim Basha tha se dorëheqja e tij do i hap rrugë ripërtëritjes së PD për t’u bërë më e fortë dhe një analize të brendshme dhe më pas do të organizohet një proces zgjedhor të lirë dhe transparent nga baze deri te lidershipi.
Fjala e Plotë:
Të dashur qytetarë shqiptarë,
Të dashur demokratë,
Thellimi i krizës që përjetojmë prej vitesh ka për shkak kryesor mungesën e një qeverisje të përgjegjshme dhe të llogaridhënies. 25 prilli ishte një goditje e rëndë për demokratët, për demokracinë dhe për shpresat e shqiptarëve për ndryshim, pas 8 vitesh premtimesh te pambajtura, korrupsion dhe tallje me dhimbjet dhe hallet e njerëzve. Sepse vetem nje qeveri qe vjen si vullnet i njerëzve mund të ngrihet në nivelin e halleve të tyre dhe të kuptoje e ofrojë zgjidhje reale per njerezit.
Nje qeveri e tillë, me program dhe ofertë konkrete u pengua nga masakra zgjedhore që ndali ndryshimin me 25 prill.
Shpresa per tu ringritur përmes një opozite të fortë ka marrë për fat te keq prej afro nje viti po kështu goditje të njëpasnjëshme. Perpjekjeve tona per tu ofruar shqiptarëve nje opozitë të tille, përmes denoncimeve dhe goditjes së korrupsionit qeveritar në komisionet hetimore të aferave korruptive dhe hetimit të 25 prillit i është mbivendosur një luftë e brendshme.
Personalisht investova gjithcka për nje zgjidhje që do ti shërbente edhe Partisë Demokratike edhe transparencës. Sot nuk dua të ndalem në cfarë ka ndodhur e si ka ndodhur, kush kishte të drejtë e kush ishte gabim, këtë jam i bindur se do ta qartësojë koha.
Fatkeqësisht, përpjekja ime për ta mbajtur PD të bashkuar nuk arriti sukses. Unë dhe shume demokratë u përballëm me një fushatë sulmesh te paparimta dhe te pavërteta që krijuan një frymë përcarje, dhe si rezultat sot Partia Demokratike po përjeton një krizë të thellë.
Për këtë arsye dhe për të ndihmuar Partinë Demokratike dhe demokratët të lënë mënjanë ndasitë joparimore, i vetëdijshëm për peshën që mora mbi vete, për atë që e kam quajtur vendimin tim më të vështirë politik, kam vendosur të hedh një hap pas duke u dorëhequr nga detyra e kryetarit të PD, me qëllim dhe i vendosur për të ndihmuar për ringritjen dhe bashkimin e demokratëve dhe Partisë Demokratike si shpresa e vetme për shqiptarët.
Kjo nuk është një tërheqje për rehati personale, por një nxitje më shumë që betejën tonë për një PD të së ardhmes ta bëjmë të gjithë bashkë të zhveshur nga çdo shpifje se kjo që ka ndodhur këto 6 muaj është bërë për karriken e kryetarit.
Ndaj dua sot ti them kujtdo që ka besuar dhe beson se PD duhet të shohë drejt të ardhmes, se unë jam dhe do jem tërësisht i angazhuar krah jush, do jem zëri juaj, nuk do ta braktis kurrë sakrificën tuaj, nuk do lodhem kurrë për t’u shprehur mirënjohjen, për sakrificat, mundin dhe kontributin tuaj, dhe me vendosmëri do bëj gjithçka, që ato të mos shkojnë dëm, por ti japin forcë vizionit tonë për një Parti Demokratike që zgjedh të ardhmen dhe i prin rrugës së shqiptarëve drejt saj.
Kjo do të thotë se unë do të vazhdoj pareshtur e pa u lëkundur të punoj, duke u përkushtuar me mish e me shpirt per këtë ringritje të Partisë Demokratike rreth vlerave, parimeve dhe standarteve tona si demokratë.
Për këtë jam i bindur se ka nevojë që të nisë sa më parë një proces vetëdijësimi, analize, përbashkimi parimor dhe ripërtëritje, e më pas një proces zgjedhor i hapur, transparent, i lirë dhe i drejtë, nga baza në qendër i gjithë lidershipit të PD.
Demokratët janë të lodhur nga konflikti i brendshëm, nga fushatat dhe gjuha denigruese, nga e cila dëmtohet Partia Demokratike dhe Shqipëria dhe përfiton vetëm Edi Rama dhe klika e tij.
Shqipëria meriton dhe do të ketë një Parti Demokratike të fortë, parimore, në krah të njerëzve, në krah të interesit qytetar dhe kombëtar dhe të aleatëve strategjikë, e gatshme per tu përballur dhe për të fituar mbi të keqen që i ka zënë frymën vendit, për të ardhmen e Shqipërisë dhe demokracisë.
Me mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata që kanë qëndruar e qëndrojnë për një PD të vlerave kombëtare, qytetare dhe Euro-Atlantike, dua të siguroj të gjithë demokratët, simpatizantët, mbështetësit, dhe votuesit tanë se këtë hap e hedh në funksion të shërimit të plagëve të hapura padrejtësisht në mendjet dhe zemrat e demokratëve.
Me vendosmërinë e pathyeshme për të vazhduar betejën me dhe për demokratët, me dhe për Partinë Demokratike, si e vetmja shpresë për shqiptarët, për të mundur të keqen dhe për të ardhmen e Shqipërisë.