Besa ka regjistruar sot fitoren e parë në këtë kampionat teksa ka mundur me shifrat 2-1 Apoloninë në ndeshjen e fundit të javës së tretë të Kategorisë së Parë.
Në një sfidë shumë të luftuar mes dy skuadrave të cilat pretendojnë për ngjitjen në Superiore në edicionin e ardhshëm, kanë qenë miqtë të cilët kanë shënuar të parët me Antoni, në minutën e 34-t. Ndërsa më pas kanë menduar më shumë që të administrojnë rezultatin.
Por kavajasit janë treguar më ngulmues në pjesën e dytë dhe pasi barazuan shifrat me Gogën në minutën e 83-të, gjetën edhe golin e fitores në minutën e fundit falë Onuh, i cili i dha suksesin e parë ekipit të tij. Tashmë kavajasit shkojnë në kuotën e 4 pikëve, po aq sa ka edhe Apolonia pas tre ndeshjesh të luajtura.
BESA 2-1 APOLONIA
83′ Goga, 90′ Onuh / Antoni 34′
FORMACIONET ZYRTARE:
BESA: Dobjani, Perja, Ramili, Reçi, Nurja, Shehu, Raza, Osma, Kuka, Sulovari, Onuh.
Trajner: Gugash Magani
APOLONIA: Harizaj, Kurti, Ndubuisi, Repaj, Asllanaj, Omeri, Kovaçi, Shanaj, Topi, Maksuti, Antoni.
Trajner: Klevis Dalipi
PRONONCIMI
Duke gëzuar dhe festuar me futbollistët pas ndeshjes, Gugash Magani rrëfen për “Panorama Sport” emocionet e mëdha që i fali kjo sfidë me shkallë të lartë vështirësie. Trajneri evidenton se fitorja erdhi falë shpirtit të garës.
“Ishte një fitore me zemër në dorë në fakt. Erdhi vetëm në shtesë, por nuk mund të them assesi që ishte rastësore. Besuam deri në fund dhe u shpërblyem.
Kjo përmbysje erdhi falë shpirtit të garës. Kemi një grup me futbollistë të rinj, që duan sigurisht kohën e vet për t’u afirmuar, pavarësisht pritshmërive tona.
I përgëzoj futbollistët dhe kjo fitore mendoj se do të ndikojë tek ata.
Nëse luajnë me po këtë nerv edhe në takimet e tjera, mendoj se do të arrijmë atë që duhen”, u shpreh mes të tjerash peqinasi i stolit të verdhezinjve.