Fenomeni i rrallë i tërheqjes së detit në Shëngjin Ç’thonë ekspertët e mjedisit: S’është thjesht zbaticë


Teksa prej vitesh është raportuar se në Shëngjin deti po avancon duke “gllabëruar” rërën dhe pishat pranë bregut, një fenomen ndryshe dhe i rallë ka ndodhur këtë vit. 

Prej 5 ditësh, deti është tërhequr me disa metra në zonën e plazhit, duke bërë që lokalet dhe objekte të tjera që ishin të ngritura mbi ujë të dalin zbuluar në sipërfaqe. Gjatë verës së kaluar këto objekte kanë qenë në disa centimetra brenda ujit, ndërsa tashmë uji është tërhequr me disa metra larg tyre.

Diçka e tillë ka tërhequr vëmendjen e vendasve dhe vizitorëve, pasi një baticë kaq e madhe nuk kishte ndodhur prej 50 vitesh në Shëngjin.

“Ka pesë ditë që deti ka nisur të tërhiqet. Një baticë kaq e madhe nuk ka ndodhur prej 50 vitesh. Siç e shikoni kanë dalë në sipërfaqe objekte të cilat deri pak ditë më parë kanë qenë të mbuluara nga uji”, thotë Bektash Keta një banor i vjetër i Shëngjinit.

Ndërsa Aleksandër Marku një tjetër banor i Shëngjinit e lidh baticën me një fenomen të vazhdueshëm natyror që ndodh kryesisht gjatë kësaj kohe.

“Shkencërisht ekuinoksi i pranverës, ndodh kur dielli, në dukje sigurisht, së është toka që lëviz vjen në pikëprerjen e ekuatorit qiellor me ekliptikën. Eklipse imagjinare të dyja, dielli në ngritje në hemisferën veriore, për pasojë ndryshojnë pozicionet, tokë, diell, hënë. Prandaj ka zbatica ose tërheqje deti në këtë kohe”, thotë Marku.

Drejtori i Turizmit në Bashkinë Lezhë thotë se një fenomen i tillë ndodh si pasojë e tërheqjes magnetike nga hëna

“Fenomeni i tillë ndodh si pasojë e ndikimit të tërheqjes së hënës, niveli i ujit në oqeane pëson lëkundje periodike. Periudha e këtyre lëkundjeve është pak më e madhe ose më e vogël se njëzet e katër orë. Gjatë kësaj periudhe, niveli i ujit në det dy herë ngrihet pakëz dhe dy herë ulet. Me një fjalë, fenomeni i baticave e i zbaticave është shumë i ndërlikuar. Meqenëse, përveç hënës, në të ndikojnë edhe shumë faktorë nga më të ndryshmet dhe në radhë të parë lëvizja e diellit ndikim të madh ka në pranverë”, thotë Xhani.

Prej vitesh, erozioni detar është kthyer në kërcënim për bregdetin e Shëngjinit, duke marrë sipërfaqe të mëdha toke. Ekspertët llogarisin se çdo vit, dallgët fitojnë 2.5 metra bregdet dhe prej vitit 1970 kur filloi ndërtimi i kaskadës së Drinit, janë humbur rreth 362 hektarë.