Taulant Balla: Deputetët e PS në terren për kontrollin e çmimeve dhe masave të qeverisë


Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, zbuloi përmes një deklarate për media diskutimet e bëra në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së mëngjesin e kësaj të mërkure.

Balla u shpreh se fokusi i ligjvënësve të Partisë Socialiste është i njëjtë me atë të qeverisë dhe lidhet me monitorimin e tregut për të mos lejuar abuzimet me çmimet. Balla shtoi se deputetët socialist do të zbresin në terren që të japin kontributin e tyre në këtë çështje.

“Në mbledhjen e grupit parlamentar fokusi ishte te çështjet që lidhen me zbatimin e paketës së rezistencës sociale. Ne do të miratojmë së shpejti aktet normative të cilat kanë fuqinë e ligjit që tashmë kanë hyrë në fuqi. Edhe deputetët do tu bashkohen përpjekjeve të mazhorancës për kontrollin e çmimeve me qëllim mos t’i lëmë hapësirë asnjë abuzuesi në këto kohë të vështira.

Edhe grupi parlamentar nuk do jetë i përjashtuar me një axhendë intensive në të gjithë vendin, në mënyrë që të gjitha masat e marrra nga qeveria të kësaj lufte që ndoshta ka prekur Ukrainën me fatalitetet, por pasojat ndihen në çdo cep të Evropës dhe botës. Pjesa e parë e mbledhjes së grupit parlamentar ishte e përqëndruar në lidhje me këtë çështje. Nesër do kemi një në Kuvend një mocion me debat të propozuar nga Partia Demokratike, kemi diskutuar zhvillimet e modaliteteve të këtij debati që do zgjasë tre orë, ku çdo grup parlamentar do ketë peshën e vet në këtë debat”, tha Balla.