Financimi ruse i partive, Zbardhet biseda e takimit e Yuri Kim me Celibashin, Kryemadhin, Gjiknurin dhe Tabakun

Ambasadorja Amerikane Yuri Kim zhvlloi nje takim me Kreun e KQZ Ilirjan Celibashi dhe përfaqësuesit e tre partive kryesore, PS Damian Gjiknuri, PD Jorida Tabaku dhe PL Monika Kryemadhi.

Biseda mes tyre kishte në fokus kryesor financimin rus të partive politike dhe erdhi menjehere pas lajmit se PD ka marre 500 Mijë Euro financime nga Rusia.

Ambasada amerikane thotë se porosia e diplomates Yuri Kim ishte se financimet e fshehta ruse janë një kërcënim serioz. Gjithashtu, në fjalën e saj, Kim ka folur dhe për kanosjen që kjo paraqet për demokracinë dhe përpjekjet anti-korrupsion.

Reagimi i Ambasades Amerikane ne Tirane ne rrjetet sociale:

Ambasadorja e SHBA Yuri Kim u takua me Kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi dhe përfaqësues të partive politike sot për të diskutuar kërcënimin serioz të financimeve të fshehta politike ruse si dhe kanosjen që kjo paraqet për demokracinë dhe përpjekjet anti-korrupsion.

Kërcënimi i financimit të fshehtë politik rus nënvizon rëndësinë që ka rritja e transparencës në financimin e fushatave, regjistrimi i enteve të huaja, si dhe masat për të identifikuar dhe parandaluar pastrimin e parave.

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me partnerë në të gjitha institucionet demokratike të Shqipërisë për mbrojtjen ndaj këtyre kërcënimeve.

JORIDA TABAKU

Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka zbardhur disa detaje nga takimi ku ka qenë e pranishme edhe në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve këtë të enjte.

Tabaku tha se diskutimet ishin “për të bërë transparencë e para e së dyti për të qenë larg influencave që nuk duhet të harrojmë ekzistojnë nga Kina, Rusia apo Irani”.

Pyetje: A u përmend gjë financimet e Lulzim Bashës?

Jorida Tabaku: Unë besoj se do ketë deklaratë nga ambasada për t’ju informuar. Takimi vjen dhe një një moment që po punohet për reformën zgjedhore. Po kështu, vizita e Kim në KQZ vjen një ditë pasi Zeri i Amerikës zbuloi se një kabllogram i inteligjencës amerikane, tregonte për financimin rus të PD në Shqipëri në vitin 2017.

DAMIAN GJIKNURI

Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri u shpreh se në qendër të bisedave nisur edhe nga rasti i fundit, i publikuar nga Zëri i Amerikës, ka qenë financimi i partive politike nga faktorë të huaj, kryesisht Rusia.

Ai tha se do të forcohen dispozitat për fushatën zgjedhore dhe se të gjithë ranë dakord që këto shqetësime janë reale dhe partitë duhet të marrin masa.

“Ky është një shembull sesi ne partitë politike duhet të evitojmë përfshirjen me financime që nuk i bëjnë mirë këtij vendi.

Ne do të diskutojmë, kemi një komision të reformës zgjedhorë që mund të forcojë dispozitat në lidhje me financimin e fushatës.

Fokusi i bisedës ishte shqetësimi që kanë aleatët tanë për përfshirjen e influencave ruse qoftë në Partitë politike, apo qoftë në  organizata të tjera mediatike përmes formave indirekte.

U transmetua shqetësimi nisur edhe nga raporti i fundit dhe u bisedua që këto shqetësime janë reale dhe partitë të marrin masa që këto mos të ndodhin”, tha Damian Gjiknuri.

MONIKA KRYEMADHI

Ish-kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka zbardhur detaje nga takimi i zhvilluar në KQZ me ambasadoren e SHBA-ve, Yuri Kim dhe kryekomisionerin Ilirjan Celibashi.

Gjatë fjalës së saj, Kryemadhi tha se është ngritur si shqetësim tentativat e Rusisë për të financuar partitë politike në Shqipëri.

“Është bërë emergjente, ngritja e barrierave që të mos deportojnë më tej financimet ruse apo të vendeve të tjera që cenojnë sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Duke parë dhe zhvillimet e fundit politike dhe luftën në Ukrainë, apo rritjen e prezencës ruse në rajon dhe kjo është më shumë seç duhet.

Kjo është ai shqetësim që kemi ngritur me kohë. Unë kam më shumë se 6 vite që e kam ngritur si shqetësim, jo vetëm në jetën ekonomike, por edhe në jetën sociale nëpërmjet përdorimit të rrjeteve sociale apo mjeteve të tjera.

Përsa i përket ndërhyrjeve në financimin e partive politike, ka ardhur koha që partitë e tjera të marrin nismën e LSI-së që të gjithë donatorët ti bëjnë publik me emër dhe mbiemër! Siç i lexojnë apo padisin donatorët e PL-së sot, por të shohin edhe donatorët e partive të tjera me emra konkret.”, tha Kryemadhi.

Kryemadhi ka folur dhe për denoncimin e financimin rus për Partinë Demokratike në kohën kur ajo drejtohej nga Lulzim Basha. Kryemadhi tha se nuk u fol me emra konkret, por e vërteta do dalë.

“U përmend emri i ndonjë partie gjatë këtij takimi? A u shpreh shqetësim për zotin Basha dhe PD-në për financimet ruse në vitin 2017?

Monika Kryemadhi:  Në takim nuk u përmendën emra partish, di të them që ka një proces, ka një hetim që po zhvillohet brenda vendit dhe jashtë Shqipërisë.

Nuk do mbetet gjë pa dalë, kush e ka gëlltitur lugën e çorbës së prishur do vjellë gjithë jetën”, tha ajo.

ILIRJAN CELIBASHI

Në një komunikim për gazetarët, Celibashi tregoi mesazhin që ambasadorja Kim i ka përcjellë jo vetëm atij, si institucion i KQZ, por edhe faktorëve politikë.

“Me pak fjalë nga ambasadorja Kim u përcoll shqetësimi i SHBA si partneri dhe aleati ynë strategjik në lidhje me financimet e huaja të politikës shqiptare dhe specifikisht financimeve ruse.

Nën dritën e informacioneve të fundit që ata disponojnë përcollën shqetësimin tek aktorët institucional dhe politik shqiptar, me qëllim që të rritet vëmendja dhe çfarë është në fuqinë e tyre për të bërë më mirë me qëllim që paratë dhe financimet e huaja, jo vetëm ato ruse mos të kenë ndikim në politikën shqiptare”, tha Celibashi.

NDRYSHIMET LIGJORE

Sa i takon ndryshimeve ligjore, Celibashi tha se ka nevojë pë rpërmirësim të kuadrit ligjor, më qëllim që KQZ ti jepet më shumë mundësi për të kryer hetime më të thella.

“Ajo që mund të them është që ka nevojë për përmirësim të kuadrit ligjor në mënyrë që KQZ dhe institucioneve të tjera ti japin mundësi që të hetojnë më thellë në lidhje me sasinë e parave që marrin partitë, nga i marrin ato para, si i përdorin ato.

Natyra e diskutimit ishte përcjellja e një shqetësimi, Nuk i bënë diskutime të formës së karakterit si mund të veprohet. Ngelet për tu parë në vazhdim. Faktori politik në Shqipëri konfirmoi nevojën për ta qasur këtë shqetësim

Mendoj se në vijim edhe në kuadër të reformës elektorale do të ketë ndryshime”.