Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare, raporton CNN. Vdekja e gruas së parë sekretare të shtetit u konfirmua në një email drejtuar stafit të Albright Stonebridge Group, një firmë strategjike globale e themeluar nga Albright.
Albright vdiq nga kanceri, u bë e ditur në një njoftim të publikuar nga familja e saj në rrjetin social Twitter.
“Ajo ishte e rrethuar nga familjarët dhe miqtë”, u tha në deklaratën e familjes ish-sekretares.
Albright ishte një figurë qendrore në administratën e Presidentit Bill Clinton, së pari shërbeu si ambasador i SHBA në Kombet e Bashkuara përpara se të bëhej diplomatja më e lartë e vendit në mandatin e dytë. Ajo mbrojti zgjerimin e NATO-s, nxiti që aleanca të ndërhynte në Ballkan për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik, u përpoq të reduktonte përhapjen e armëve bërthamore dhe mbrojti të drejtat e njeriut dhe demokracinë në të gjithë globin.
Madeleine Albright ishte gruaja e parë e zgjedhur në këtë post më 1997 dhe shërbeu deri në 2001. Albright ka qenë Sekretare e Shtetit në kohën kur janë kryer sulmet e NATO-s mbi caqet serbe, që kanë çuar në çlirimin e Kosovës.