Presidenti Bajram Begaj i ka shprehur ngushëllimet Mbretit Charles III për ndarjen nga jeta të nënës së tij Mbretëreshës Elisabeth II. Por më mirë të mos e kishte bërë, pasi brenda 100 ditëshit të tij të parë si kreu i shtetit, mund të shënojë incidentin e parë diplomatik. Në një letër drejtuar mbretit të ri të Britanisë së Madhe, Begaj vlerëson vlerëson rolin dhe detyrën e Mbretëreshës përgjatë 70 viteve, edhe pse sipas tij në kohët që jetojmë, sistemi monarkik dukej i tejkaluar.
Por nuk ndalet me kaq. Vazhdon me gafën tjetër dhe e quan Mbretëreshën Elisabeth II “Shkëlqesia e Saj”, titull që nuk përdoret për monarkët, jo në Shqipëri, por askund në botë. Mjaft të hapte fjalorin.
Ja si shpjegohet termi “shkëlqesi” shqip-shqip: Titull nderimi, që përdoret për t’iu drejtuar funksionarëve të lartë shtetërorë të vendeve të huaja josocialiste ose kur ata u drejtohen funksionarëve të lartë të shtetit tonë në marrëdhëniet zyrtare. Pra Begaj është shkëlqesi si president, jo Mbretëresha e Anglisë.
Madhëria Juaj
Me keqardhje të thellë ju drejtohem për humbjen e Mbretëreshës se dashur, Madhërisë së Saj Elisabeta II. Në këto momente hidhërimi, në emrin tim personal dhe në emër të gjithë popullit shqiptar, shpreh ngushëllimet tona më të ndjera për Familjen Mbretërore, gjithë nënshtetasit e Madhërisë së saj në Mbretërinë e Bashkuar dhe mbarë Komanuelthin.
Mbretëresha Elisabeta do të mbetet në histori dhe në kujtesën e se gjithë brezave, si personifikimi më shembullor i shtetarit të përkushtuar deri në çastet e fundit, ndaj vendit, detyrës dhe misionit, që historia i ngarkoi që në moshe të re.
Ajo mbretëroi me dinjitet të pakrahasueshëm, për plot 70 vite jo të lehta për Mbretërinë e Bashkuar dhe u përball me sfida të vështira, që nga shpërbërja e Perandorisë, e konfliktet e tejzgjatura me Irlandën e Veriut, Brexit, etj., por ia doli gjithmonë të ruaj paanshmërinë, të kultivojë marrëdhënie të shkëlqyera me udhëheqës të shumtë global dhe të kontribuojë për paqen dhe përparimin në vend dhe në mbarë botën duke fituar në mënyrë të natyrshme admirimin e të gjithëve.
Në kohët moderne, kur sistemi monarkik dukej i tejkaluar, Shkëlqesia e Saj e sfidoi kohën gjatë gjithë mbretërimit të Saj, me urtësinë dhe fisnikërinë karakteristike, me vendosmërinë e përulur dhe përkushtimin e saj absolut ndaj unitetit të vendit, duke u bërë një figurë fort e dashur dhe e admiruar nga njerëzit në mbarë botën.
Sot, të gjithë ne jemi pranë jush me mendime dhe lutje për shpirtin e saj dhe trashëgiminë e rrallë, që Ajo i Kurorës së Mbretërisë së Bashkuar, vendit të Saj dhe gjithë Njerëzimit.
I përjetshëm qoftë kujtimi i Saj”, shkruhet në letër.
Por në fakt problemi më i madh qëndron tek komenti që Begaj ka bërë nga vetja e tij duke e cilësuar sistemin monark si demode, kur në fakt Europa është kontinenti i dytë në botë për nga numri i mbretërive. Përmendim këtu: Britania e Madhe, Belgjika, Holanda, Luksemburgu, Monako, Lihtenshtajni, etj, etj. Të gjitha vendet të zhvilluara më shumë se Shqipëria, që nuk e mbajnë sistemin që kanë me forcë, por Begaj e dha mendimin e tij edhe pse nuk ia kërkoi njëri. Përfundoi duke shkaktuar gafën e parë diplomatik, kur në fakt ka 5 vite para në detyrën që i kanë caktuar si kryetar shteti. Post që sipas tij, nuk është i tejkaluar, por goxha “trendi”.