Partia Demokratike ka reaguar duke e dënuar sulmin me eksploziv ndaj pronës së kandidatit demokrat për bashkinë e Shkodrës në zgjedhjet e 6 marsit 2022, Xhemal Bushatit. Ngjarja ndodhi mbrëmjen që lamë pas.
Partia Demokratike u kërkon organeve ligjzbatuese të zbulojnë përgjegjësit “e këtij agresioni, që prek drejtpërsëdrejti zotin Xhemal Bushati, një nga personalitetet më të respektuar të qytetit të Shkodrës”.
“Kush mendon se mund të përkulë demokratët me sulme direkte ose indirekte, i ka bërë llogaritë gabim!”, thuhet në reagimin e PD.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE
Partia Demokratike dënon me ashpërsi sulmin me eksploziv ndaj pronës së kandidatit demokrat për bashkinë e Shkodrës Xhemal Bushati.
Për fat të mirë, familja e zotit Bushati, që banon në të njëjtën godinë, nuk ka lëndime fizike, por ngjarja është tronditëse për ta dhe për qytetarët e Shkodrës. Për fat të keq, gjendja e sigurisë në Shkodër ka vetëm përkeqësim për shkak të aleancës së qeverisë me krimin.
Partia Demokratike u kërkon organeve ligjzbatuese të zbulojnë përgjegjësit e këtij agresioni, që prek drejtpërsëdrejti zotin Xhemal Bushati, një nga personalitetet më të respektuar të qytetit të Shkodrës.
Kush mendon se mund të përkulë demokratët me sulme direkte ose indirekte, i ka bërë llogaritë gabim!