Sulmi kibernetik mbi sistemin TIMS, situatë e rënduar në Pikat Kufitare/ Procedohet manualisht, në Rinas, Vlorë e Bllatë radhë të gjata udhëtarësh

Sulmi kibernetik mbi sistemin TIMS ka paralizuarp unën në pikat kufitare të vendit.

Në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës ky problem prej 12 orësh tashmë ende nuk është zgjidhur ndërsa punonjësit e policisë në doganë po punojnë manualisht.

Kalimi i pasagjerëve dhe këtu do të kryhet në mënyrë manuale.

Në Portin e Vlorës është pezulluar puna që prej mëngjesit. Kjo ka shkaktuar një fluks të lartë pasagjerësh në piken e kalimit të kufirit në portin e Vlorës.

Qindra qytetarë që duan të kalojnë në vendin fqinj të Maqedonisë së Veriut nëpërmjet doganës së Bllatës në Dibër po qëndrojnë në radhë pasi sistemi nuk funksionin si pasojë e sulmit nga hackerat e Iranit.

Ashtu si në të gjitha pikat e tjera doganore edhe në Bllatë hyrje-daljet nga kjo pikë doganore po mbahen me regjistër, ç’ka bën që koha e procedurës të jetë e gjatë.

Emigrantët që kanë zgjedhur këtë doganë për të kaluar në Greqi, thonë se po qëndrojnë në radhë me orë, si asnjëherë më parë.

 

 

Burime nga dogana e Bllatës thanë se janë fikur të gjithë kompjuterët, duke ju shkëputur lidhjen e internetit, për arsye sigurie. Ndërkohë, bllokimi i sistemit doganor ka vështirësuar punën e policisë në identifikimin e personave që kanë probleme me ligjin.

Qafë Botë: Për shkak të hakerimit të sistemit TIMS që ka ndodhur që mbrëmjen vonë të së premtes në pikën e kalimit kufitar në Qafë Botë shërbimi për kontrollin e kalimtarëve drejt Greqisë është bërë në mënyrë manuale. Deri tani numri i kalimtarëve që janë përpunuar në këtë pikë kalimi është 400. Ndërsa nuk është krijuar fluks i papërballueshëm.